
Rama kërkon të bashkohen me PS dhe ata pak të djathtë që kanë mbetur...
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar zhvillime të shumta në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor. Gjatë një takimi me socialistët e Vlorës, ai dha sinjale se do i japë fund parimit që krerët më të lartë të PS në rrethe marrin dhe postet më të larta.
Nga ana tjetër ai u dërgoi mesazh të vetëve të "rrëmbejnë" elektratin e djathtë. Rama tregoi se po i shkojnë mesazhe anonime, që denoncojnë se kryebashkiaku i Vlorës ka punësuar militantë të PD. Rama e përgëzoi për këtë gjë dhe dha sinjal që të punësohen sa më shumë demokratë që nuk duan të jenë më pjesë e asaj force. Pra Rama kërkon të bashkohen me PS dhe ata pak të djathtë që kanë mbetur.
“Më vjen për të qeshur dhe qarë kur marr ca mesazhe anonime. E kishit harruar këtë stil ca kohë dhe nuk e di se pse keni filluar. Arsyeja e këtyre mesazheve është se pse Ermali është i hapur për të marrë në ekipin e tij edhe demokratë. Unë nuk i di kush janë dhe si janë. Por di që Ermali ka të drejtë dhe kush i bën këto mesazhe e ka gabim. Në parim flas. Ermalit dhe çdo kryetari bashkie t’i kërkojmë llogari për punën. Se kë marrin në punë është e drejta e tyre. E para. E dyta kush është socialist dhe kush i beson ato që themi që jemi të hapur për të gjithë, jo që nuk duhet të mërzitet se demokratët merren në punë, kur janë të zotët patjetër. Kanë votuar për atë? Po për atë kanë votuar se janë të PD. Fakti që nuk votojnë më për atë është merita jonë. Është e pakuptimtë që të merremi me këtë pjesë”, tha Rama.
Më tej ai u kap te fakti se PS është parti e të gjithëve dhe kërkoi më shumë përmirësim. Kaosi në PD duket se i ka dhënë siguri Ramës se kjo parti nuk do të ikë nga pushteti dhe ambicia e tij duket se është të forcojë akoma dhe më shumë pozitat, duke marrë militantët demokratë.
“Do shkojmë në Kongres më 8 dhjetor dhe do diskutojmë konkluzionet e takimeve dhe ka gjëra që do i shohim në sy dhe nuk mund të presim që të humbasim për tu përmirësuar. Se ne nuk humbasim dhe fakti që nuk do humbasim çdo të thotë që nuk mund të përmirësohemi? Absolutisht jo. Fakti që kemi fituar 8 zgjedhje rresht, lidhet dhe me faktin se pas çdo fitore ne kemi nisur të nesërmen punën për të parë se çfarë do përmirësojmë.
Ata kanë 10 vite që nuk gjejnë rrugën. Duhet të rishikojmë çdo gjë te vetja. Tani që kemi 1 dekadë në krye të vendit, ne kemi detyrën të ndërtojmë një PS për dekadën tjetër. Ka plot gjëra që duhet të shohim. Na duhet një parti me forume shumë më të hapura. Pyetja është se pse duhet të jesh dhe drejtor dhe anëtar forumi i partisë? I bëjnë dy njerëz këto gjëra. Dhe si kjo ka dhe të tjera gjëra që duhet t’i shikojmë. Duke bashkuar edhe demokratët patjetër. Pse do i lëmë rrugëve?”, tha Rama
Pra duket sikur kreu i qeverisë ka nisur fushatën dhe sinjalet janë se në Kongres do ketë ndryshime në radhët e PS, teksa synimi do të jetë afrimi i të pakënaqurve me Berishën e Bashën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje