
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Atlantikut ditën e sotme, kryeministri Edi Rama diskutoi mbi sfidat e rajonit, ku u ndal te çështja e Kosovës. Ai tha se mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia është “elefanti në dhomë”, dhe se rruga e drejt paqes është ajo e dialogut. Për sa i përket sulmit në Banjskë, Rama shtoi më tej se Beogradi është gjithashtu përgjegjës për tragjedinë, pasi nuk e dënoi këtë sulm terrorist, por e shpalli ditë zie kombëtare.
Rama duket se ka ndryshuar kurs sa i takon qëndrimeve ndaj Albin Kurtit, pasi e ka vlerësuar që ai pranoi Asociacionin.
“Besoj fort te fakti që nuk mund të mendosh të jesh më mirë në këtë rajon pa menduar të bësh një rajon më të mirë. Në këtë botë kaq të ndërlidhur ne duhet të mësojmë të punojmë me bindjen e fortë se ajo çfarë na duhet të bëjmë është si përmirësimi i vendit tonë, rajonit edhe botës. Megjithatë kemi një “elefant në dhomë” siç është mungesa e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Ne e kemi pasur aset faktin që kemi një shoqëri me disa besime fetare dhe që pranojnë njëra-tjetrën. Ndaj besoj se lufta në Izrael është e rrezikshme , pasi Hamasi dhe ata që i mbështesin janë agjentë të kaosit. Këtë kaos duan ta përhapin kudo, jo vetëm në Lindjen e Mesme. Rajoni ynë mund të ndikohet po ashtu nëse nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe nëse nuk bëjmë çdo gjë për të mbajtur kaosin jashtë dhe të ndalojmë përfshirjen në konflikt.
Çështja mes Kosovës dhe Serbisë zgjidhet me paqen përfundimtare dhe njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia. Ajo që ndodhi në ngjarjen tragjike në Banjskë. Përgjegjësia është shumë e qartë në këtë rast, jo vetëm për personat e përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet terroriste, por edhe përgjegjësia e Beogradit që nuk dënoi rastin, por shpalli ditë zie kombëtare për kriminelët.
Duke pranuar formimin e Asociacionit kryeministri i Kosovës dhe qeveria e Kosovës kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes.
Siç është shprehur edhe nga Kurti, kjo do të jetë e jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje