
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk është i distancuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Baçi tha se reagimet e tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës janë sepse është ndjerë në presion dhe ka dalë kundër linjës së Bashkimit Europian.
Ai shtoi se deklaratat e tij janë sidoqoftë të vonuara, duke marrë parasysh qëndrimet e tij të mëhershme në raportin Kosovë-Serbi.
“Nuk është çmendur Rama që të dalë më tashmë në mbështetje të Vuçiç siç ka dalë deri tani. Sot ai ndodhet para një fakti që është i detyruar të bëjë një hap pas. Është i detyruar të ndryshojë taktikë dhe të dalë të flasë hapur në mbrojtje të Kosovës për arsye se nuk ka mundësi si ta anatemojë më qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për qëndrimet jo të drejta të tij. Është e pamundur të bëjë një gjë të tillë për momentin dhe të prisni ju për pak kohë sa të shuhet pak kjo situatë që është ndezur dhe do të fillojë përsëri që qëllimet dhe propozimet e tij t’i kalojë shkallë-shkallë në krah të Vuçiç”, deklaroi Baçi.
Lini një Përgjigje