
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka përjashtuar ditën e sotme 11 deputetë nga Grupi Parlamentar i PD, mbështetës të "non gratës" pasi mori zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme dhe i është dërguar me shkresë edhe Kuvendit të Shqipërisë.
Lidhur me këtë vendin ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj. Ai ironizon duke thënë se Basha duhet t’i largonte të gjithë deputetët, pasi ia del vetëm dhe nuk ka nevojë për ta. Sipas tij, Basha i ka shërbyer qeverisë dhe është kthyer në një kloun.
Sipas kreut të PD, vendimi është marrë para 1 viti e gjysmë, deputeti Gjekmarkaj thotë se këto janë vetëm mashtrimet e Bashës pasi në atë kohë disa deputetë nuk ishin fare pjesë e listës.
Deputeti vijon duke thënë se ky është cirku i radhës i Bashës për t’ia faturuar Bardhit një vulë që ai nuk e ka vënë kurrë.
Gjekmarkaj shkruan se nëse kuvendi do të shndërrohet në institucionin e Partisë Socialiste, më mirë të mbyllet dhe të mos i lejojnë deputetët të bëhen pjesë e tij.
“Besoj se Basha ka përjashtuar pak, duhet ti përjashtonte të gjithë, sepse ai nuk ka nevojë për deputetë, ai ia del vetëm. Kjo është një situatë komike në fakt, vendimet e tij janë nul. Ai ka mbledhur rreth vetes disa dashamirës që çuditërisht i besojnë. Ne u munduam 10 vite ta bëjmë kryeministër, por ai mesa duket paska dashur me qenë një kloun, shërbyes i qeverisë.
Kjo letër është një mashtrim, është grupi ai që përcakton çdo gjë. Ai thotë që ky vendim është marrë para një vit e gjysmë, por atë kohë disa prej deputetëve nuk ishin fare pjesë. Këto janë të gjitha trillime, për t’ia faturuar Bardhit një vulë që ai se ka vënë kurrë për të përjashtuar këta njerëz. Është cirku i radhës, në pamundësi për të bërë opozitë. Kjo i shërben mediave dhe më së shumti qeverisë.
Se si e përdor mazhorancat letrat e pafundme që prodhon Basha, është çështje tjetër. Por rregulloret e Kuvendit janë të qarta. Nëse duan të prodhojnë kauza artificiale, për ta shndërruar kuvendin e Shqipërisë në institucion të PS, më mirë ta mbyllin fare, e të mos i lejnë deputetët e PD të futen fare brenda.
Basha e ka ndërprerë kontaktin me elektoratin e djathtë. Basha të njëjtin aleat që ka është me qeverinë, por kjo e fundit thjesht e përdor për të bërë zhurmë dhe më pas për ta hedhur. Te opozita ai perceptohet si një aleat i qeverisë më shumë se, një faktor opozitar”, shkruan Gjekmarkaj në Facebook.
Lini një Përgjigje