TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Korrik 2024, 16:10

Rama-Berisha arrijnë "pazarin" për Reformën Zgjedhore, 1/3 e listave mbeten të mbyllura; diaspora do të votojë me postë

Shkruar nga Pamfleti
Rama-Berisha arrijnë "pazarin" për Reformën Zgjedhore,
Komisioni i reformës zgjedhore

Nga gjithë kandidatët, 1/3 janë emra te vija fituese dhe ata sërish i cakton kreu i partisë, pra Berisha me Ramën.

Edi Rama dhe Sali Berisha arrijnë një tjetër pakt mes tyre. Diskutimet nën rrogoz duket se kanë dhënë efekt, pasi palët kanë arritur një pakt për reformën zgjedhore, pakt i cili sërish ngre shumë pikëpyetje.

Palët kanë rënë dakord që 2/3 e listave të jenë të hapur dhe 1/3 të mbyllura. Nga gjithë kandidatët, 1/3 janë emra te vija fituese dhe ata sërish i cakton kreu i partisë, pra Berisha me Ramën.

Pika që ndante dy partitë ishte mënyra se si do të ndahen mandatet. Socialistët kishin si kusht vendosjen e një pragu 7 mijë vota për të thyer herësin, ndërsa që demokratët kërkonin lista 100% të hapura.

Ndërkohë në draft, PS ka hequr dorë nga pragu 7 mijë vota, kurse demokratët kanë pranuar që 1/3 e listës në çdo qark të jetë e mbyllur. 

"Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:

a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve;

b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.

Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.

Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS”, thuhet në propozim.

Ndërkohë palët kanë rënë dakord që emigrantët të votojnë me postë.

KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit, ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik”, theksohet në propozim.

reforma zgjedhore

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje