
Kryetari i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka zbuluar detaje të reja rreth dosjes që u arrestua ish-Presidenti Ilir Meta. Para ambienteve të Kryeministrisë, Shehaj shprehet se kjo dosje përmban emrat e pushtetarëve të tjerë që, sipas tij, kanë abuzuar me pushtetin në Shqipëri.
“Kjo është dosja në bazë të së cilës është arrestuar Ilir Meta”, thekson ai.
Shehaj shtoi se emri i kryeministrit Edi Rama është gjithashtu i pranishëm në këtë dokument, duke nënkuptuar se shumë nga ministrat dhe oligarkët e lidhur me të kanë ndarë pushtetin dhe kanë keqpërdorur burimet e shtetit për përfitime personale.
Ai thotë se sipas dosjes, janë marrë vendime ligjore që kanë favorizuar oligarkët në vend të qytetarëve shqiptarë.
“Në këto dhoma, janë marrë vendime sesi të bëheshin ligjet jo në favor të qytetarëve, por në favor të oligarkëve”, tha Agron Shehaj duke theksuar se ky ka qenë një faktor i rëndësishëm në kapjen e ekonomisë.
Deputeti kërkoi që të bëhet një fund i pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke insistuar se kjo mund të ndodhë vetëm nëse Edi Rama përballet me drejtësinë.
“Qytetarët shqiptarë duan fundin e pandëshkueshmërisë dhe kjo ka për të ndodhur vetëm nëse Edi Rama del para drejtësisë”, përfundoi Shehaj.
Lini një Përgjigje