TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Shtator 2024, 15:15

Qeveria dhe PS “braktisin” detyrat, Rama lëshon ministrat dhe deputetët për të mbledhur vota; zbardhen diskutimet në grup

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria dhe PS “braktisin” detyrat, Rama lëshon ministrat dhe

Para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka pasur një mbledhje grupi në Partinë Socialiste dhe kreu i grupit Niko Peleshi ka dhënë direktiva të qarta, njësoj si Rama dje...

Edhe pse duhen me shumë se 8 muaj që qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit, qeveria dhe Partia Socialiste duket se kanë nisur fushatën. Dje Rama mblodhi ministrat në Dajt, ku përveç analizës së punës, udhëzimi kryesor ishte që ata të rrisin komunikimin me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve. Pra ata duhet të jenë përditë në media e rrjetet sociale duke reklamuar punët e qeverisë.

Por nuk do të jenë të vetmit. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe deputetët. Para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka pasur një mbledhje grupi në Partinë Socialiste dhe kreu i grupit Niko Peleshi ka dhënë direktiva të qarta, njësoj si Rama dje. Të gjithë janë udhëzuar të zbresin në bazë dhe të mbledhin sa më shumë vota. Mësohet se njësoj si ministrat, Rama do mbledhë dhe deputetët në ditët në vijim dhe udhëzimi do të jetë i qartë, të hidhen në terren dhe të mbledhin vota.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e vuri theksin tek prezenca në sallë e kolegëve të saj deputetë. Ajo ka deklaruar se nuk do të lejojë diskutimin e projekt ligjeve pa prezencën e ministrit propozues të projekt ligjit. Në të njëjtën linjë me të ka qenë dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, i cili ka kërkuar që të gjithë deputetët të jenë aktivë në komisione dhe seanca plenare.

Pra duket qartë se Rama synon një tjetër mandat në këto zgjedhje dhe pse jo të kapë 84 vota. Në funksion të këtij qëllimi janë vënë si qeveria, ashtu dhe PS. Duke qenë se kemi një opozitë të shpartalluar, kryeministri synon ta shohë veten si Erdogani, ku të miratojë çdo ligj që do vetë dhe të asgjësojë pluralizmin. Nga ana tjetër, të gjithë deputetët tani do të vihen në lëvizje me qëllim që të sigurojnë një vend te lista e kandidatëve. Rama ka paralajmëruar se do të ketë spastrime dhe shumë veta nuk do e gjejnë më veten në Parlament. Prandaj, tani duket se të gjithë janë vënë në garë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje