TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Maj 2025, 18:05

Putini tallet me paqen, Trump hesht: Iluzioni rus që po mashtron Perëndimin!

Shkruar nga Pamfleti

Putini tallet me paqen, Trump hesht: Iluzioni rus që po mashtron

Nga Stambolli te Vatikani, si Kremlini përdor bisedimet si armë taktike dhe pse Europa ka mbetur e vetme përballë agresionit të heshtur...

E vërteta që fshihet në prapaskena: në mesin e Majit në Stamboll, në një tjetër raund bisedimesh të dështuara për paqe në Ukrainë, Rusia riktheu në skenë një figurë të njohur, Vladimir Medinsky, i njëjti që në 2022 u përpoq të impononte kushte kapitulluese si “marrëveshje”. Por këtë herë, cinizmi i delegacionit rus kapërceu kufijtë: siç shkruan Anne Applebaum, Medinsky guxoi të tallej me një delegat ukrainas që kishte humbur nipin në luftë. “Mbase do humbisni edhe të tjerë,” u shpreh ai me ironi të ftohtë. Kjo nuk është paqe. Kjo është dhunë diplomatike.

Pas Stambollit, ideja e negociatave në Vatikan mori vrull, me Selinë e Shenjtë të gatshme, Zelenskyn të hapur dhe europianët të motivuar. Por Lavrov e rrëzoi këtë mundësi me një pretekst të turpshëm: “jo negociata mes ortodoksëve në tokë katolike.”

E vërteta? Moska nuk e njeh Ukrainën si shtet të pavarur, për ta, ajo është një krahinë e pabindur që duhet ndëshkuar.

Putini, në fakt, nuk ka pasur kurrë qëllim të ndalë luftën. Ai po e zgjat konfliktin me qëllim të qartë: të fitojë kohë. Trupat e tij avancojnë ngadalë, me çmim të lartë; mbi 800 mijë të vrarë e të plagosur në tre vjet. Por retorika nacionaliste është përforcuar, ekonomia është militarizuar, veteranët po kthehen në ushtri politike. Në këtë realitet, paqa për Putinin është më e rrezikshme se vetë lufta.

Ndërkohë, ai nuk do ta dëmtojë “mikun më të çmuar”: Donald Trump. Kremlini ka investuar shumë në lidhjen me ish-presidentin amerikan, që nga paratë ruse në kazinotë e tij, deri te brohoritjet në Dumën ruse pas fitores së tij më 2016.

Trump, me sinjalet e fundit, ndalimi i ndihmave për Ukrainën, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike me Rusinë, retorika e “largimit nga një luftë që më mërzit”, i ka dhuruar Putinit më shumë se çdo armë.

Dhe Putini e shfrytëzon këtë. Ai rikthen idenë e negociatave, propozon “memorandume”, hedh mesazhe, thjesht për të lejuar që Trump të shfaqet si “paqebërësi” dhe të shtyjë më tej ndikimin rus pa rezistencë.

Por në gjithë këtë teatër, Europa është e vetme. Rusia po zhvendos trupa në kufi me Finlandën, dhe ushtria ukrainase është sot mburoja më e fortë që ne kemi. Koha nuk pret. Nëse nuk ndërtojmë një union mbrojtës europian, me përfshirjen e Britanisë së Madhe dhe me një vizion politik të qartë, do ta gjejmë veten të pambrojtur.

Ka një dritare mundësie: 300 miliardë euro të ngrira nga asetet ruse mund të përdoren për rindërtimin e Ukrainës dhe për integrimin e saj në një Europë të re. Por për këtë duhet kurajë dhe vision, cilësi që as Putini dhe as Trump nuk i zotërojnë për Europën. Dhe ndoshta, historia do t’i kujtojë si “baballarët e pavullnetshëm” të një bashkimi të ri europian./Pamfleti

putin trump iluzioni rus

Lini një Përgjigje