
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se “Narkoregjimi” zhvilloi komplot ndaj zgjedhjeve të lira.
Blushi e ka cilësuar 11 Majin, si terrorizëm elektoral, pasi u tjetërsua dhe manipulua vota e qytetarëve. Ai tha gjithashtu se institucionet shtetërore që duhet të garantonin integritetin e procesit që nga qeveria, KQZ, Prokuroria dhe SPAK heshtën krimit qe diktoi rezultatet e paravendosura.
Blushi tha gjithashtu se SPAK lejoi përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale që të vidhnin zgjedhjet, duke shtyrë me qëllim pas 11 Majit ekzekutimin e urdhër-arrestet.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri ranë viktimë e një komploti të mirëorganizuar nga Narkoregjimi.
11 Maji nuk është thjesht manipulim apo tjetërsim i vullnetit të qytetarëve, por një akt terrorizmi elektoral ndaj votës së lirisë, zgjedhjeve, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ky terrorizëm elektoral i strukturuar, i mirëkoordinuar dhe i mbrojtur provohet nga fakti se vetë institucionet shtetërore që duhej të garantonin integritetin e procesit, Qeveria, KQZ, Prokuroria, SPAK e deri te shërbimet inteligjente, ose bashkëpunuan ose heshtën përballë mekanizmave kriminalë që diktuan rezultatin e paravendosur në tavolinë nga Edi Rama.
Ky operacion kriminal kundër votës së lirë i drejtuar nga Narkoqeveria, në bashkëpunim me bandat kriminale që u riaktivizuan si instrumente elektoralë, për të intimiduar, kërcënuar dhe blerë votat, shkallmuan standardet e zgjedhjeve.
Prokuroria dhe “Task Forca” e SPAK nuk lëvizi as gishtin për të parandaluar në kohë terrorizmin elektoral, si në rastin flagrant të Vorës, ku qendrat e votimit jo vetëm ishin marrë peng nga bandat por dhe ku drejtuesit e opozitës u kërcënuan me jetë prej tyre para mediave dhe askush nuk reagoi.
Ndërsa kriminelët sundonin terrenin elektoral, opozitarët dhe qytetarët që denonconin krimin u lanë në mëshirë të fatit nga Narkopolicia, që hapur bashkëpunoi me ta në funksion të grabitjes pa maska të votave në të gjithë Shqipërinë.
SPAK lejoi përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale, si në rastin e Durrësit, që të vidhnin zgjedhjet, duke shtyrë me qëllim pas 11 Majit ekzekutimin e urdhër-arresteve edhe ato të dekonspiruara dhe pa rezultate efektive.
Terrorizmi elektoral i Narkoregjimit nuk është vetëm një sulm ndaj opozitës, por një akt dhune ndaj çdo qytetari që kërkon të zgjedhë i lire, një atentat ndaj vet shpresës për të jetuar në një vend demokratik.
Deri më 11 Maj nuk pati një fushatë zgjedhore, por një fushatë terrori politik.
Kjo nuk ishte një garë demokratike, por një operacion kriminal i Narko shtetit kundër votës së lirë.
Këto nuk ishin zgjedhje, por një terrorizëm elektoral i dirigjuar nga një regjim që sundon jo mbi bazën e ligjit dhe të kushtetutës, por përmes frikës, presionit, terrorit dhe krimit.
Komploti i narkoregjimit është i qartë. Qëllimi i tij është të zhdukë përfundimisht zgjedhjet e lira, për t’i shndërruar ato në votime formale me rezultat të paracaktuar.
Për Partinë e Lirisë këto zgjedhje nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe ky proces është i pavlefshëm moralisht, politikisht dhe juridikisht.
Ne kërkojmë hetim të plotë e transparent dhe ndëshkim të çdo akti kriminal që ndodhi gjatë zgjedhjeve – nga përfshirja e bandave, te mosveprimi i shtetit dhe selektiviteti i drejtësisë që ndërkohë që rrëmben e izolon politikisht liderët e opozitës, pa fakte e pa prova penale, dekonspiron e mbron banditët, duke bashkëpunuar me ta në funksion të grabitjes së zgjedhjeve.
Terrorizmi elektoral i 11 Majit nuk do të kalojë pa përgjegjësi.
Beteja opozitare e Partisë së Lirisë do të vazhdojë me vendosmëri kundër kësaj keqqeverisje, që e ka renditur sot Shqipërinë vendin më të korruptuar dhe më të varfër në Europë.
Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë nuk do t’i ndalë dot askush në misionin e tyre për mbrojtjen e interesit kombëtar, për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtë, në mbrojtje të votës së lirë, zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të kauzave madhore për të cilat ne kemi luftuar dhe do të luftojmë gjithmonë”, tha Blushi.
Lini një Përgjigje