
Pse Sali Berisha nuk jep dorëheqjen...
Sali Berisha ka vendosur ta mbajë peng Partinë Demokratike edhe pas një tjetër humbjeje të thellë elektorale. Në vend që të tërhiqet e të hapë rrugë, ai e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet. Përkundrazi, çdo lëvizje e tij tregon se është përgatitur për humbjen. E gjithë loja është ndërtuar me një qëllim të vetëm: të mbijetojë politikisht për të mbijetuar ligjërisht.
Halli i vërtetë i Berishës nuk është humbja e zgjedhjeve, këtë ai e kishte llogaritur. Ajo që e tremb është drejtësia. Dosja “Partizani” tashmë ka kaluar për gjykim, dhe megjithëse ka gjasë që Berisha të shmangë burgun për shkak të moshës së tij, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, nuk e ka këtë luks.
Në horizont shfaqen edhe re të tjera: dosja e “Gërdecit” është rihapur, dhe kjo mund të sjellë pasoja serioze për të birin, Shkëlzenin, i cili deri më sot ka qëndruar nën hije, por jo jashtë vëmendjes së hetuesve. Ndërkohë, dosja e “21 Janarit”, një plagë e hapur në ndërgjegjen kombëtare, ka rifituar jetë, dhe me të, edhe frika e Berishës se drejtësia do të trokasë edhe për atë masakër.
Në këtë kontekst, PD është vetëm një mburojë për Berishën. Ai nuk po e përdor partinë për ta kthyer në alternativë qeverisëse, por si bunker personal për të mbrojtur veten dhe familjen. Nuk është rastësi që ai ka lidhur një kontratë lobimi dyvjeçare me kompaninë “Continental”, një përpjekje për të ndikuar edhe në SHBA dhe për të ndalur mbështetjen ndaj reformës në drejtësi.
Jo më kot Berisha krijoi një rreth besnik. Ai ka bërë deputetë ata që i krehin bishtin përditë dhe janë gati t’i vënë flakën vendit për të mbrojtur liderin e tyre shpirtëror. Pra, falë tyre, jo vetëm që do shuhet çdo zë kritik, por PD do të kthehet në një parti që do të luftojë për çdo hall që Berisha do të ketë në vijim më drejtësinë.
Demokratëve u bëhet lavazh truri çdo ditë se zgjedhjet u vodhën. "Vjedhje e zgjedhjeve", është pretekst për të mos zbatuar "Nenin Basha" për dorëheqjen e kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Pra realiteti është brutal: Berisha është gati t’i vërë zjarrin selisë së PD vetëm e vetëm për të shpëtuar Argitën, Shkëlzenin dhe veten. /Pamfleti
Lini një Përgjigje