TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Maj 2023, 11:30

Puka në duart e 2 “non grata”-ve: Saliu kryetarin, Toma Këshillin Bashkiak

Shkruar nga Pamfleti

Puka në duart e 2 “non grata”-ve: Saliu kryetarin, Toma

Paçka se Puka është bashki e vogël, drejtimi administrativ e politik nga dy “non grata”, është tregues real, që Shqipëria është shumë larg BE, për shkak të politikanëve; ndërsa qëndrimi i Edi Ramës, përballë 4 “non grata”-ve, është teatral...

Puka është një bashki e vogël, që në muaj mbledh taksa lokale më pak se paga vjetore e kryetarit, por në këto zgjedhje u bë temë e mediave për dy fakte:

1. Në mbyllje të fushatës elektorale, Edi Rama iu drejtua me përçmim kandidatit opozitar Rrok Doda, duke i thënë: - Ti Rrok je mbetje e zorrës qorre dhe do fitosh “Noc Rrokun” më 14 maj, por ai e mundi thellë Gjonin e Bablokut.

2.  Në zgjedhjet për këshillin Bashkiak të Pukës, shumicën e këshilltarëve i fitoi partia e Tomë Doshit, duke lënë mbrapa PS-në e Edi Ramës dhe Partinë Arbnore me nga 2 këshilltarë, dhe PD-në e Lulzim Bashës e koalicionin “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës e Ilir Metës

Edhe në mandatin e kaluar, Tomë Doshi ka pasur shumicën e këshillit dhe zv/kryetarin e në  Bashkinë Pukë; madje ka të njëjtët emra, të cilët “de facto” janë socialistë e nëpunës shteti, ngaqë PS e PSD kanë kryetarët “miq për kokë” e  janë aleate në qeverisje e parlament.

Nuk e dimë, nëse edhe këtë herë si më 2019-ën, Babloku ia ka lënë vetë shumicën e Këshillit Bashkiak, për t’i bërë karshillëk SHBA-ve, sikur Toma është politikan i fortë.

Por pas humbjes së Gjon Gjonit të Bablokut dhe fitores së Rrok Dodës së opozitës, Puka në mandatin e ri 4-vjeçar, do jetë në duart e dy “non- grata”-ve: Sali Berishës e Tomë Doshit; madje PSD merr Kryetarin e Këshillit dhe 2 vende në Këshillin e Qarkut-Shkodër.

Edhe pse ka  fituar shumicën, Toma është në aleancë e pazare llokmash pushteti, me Bablokun që ka fondet lokale, tenderët, trojet e lejet për kulla dhe do ta përdor Këshillin Bashkiak, në shërbim të PS e për interesa të tij personale, siç ka bërë deri sot pazare me Edi Ramën.

Paçka se Puka është bashki e vogël, drejtimi administrativ e politik nga dy “non grata”, është tregues real, që Shqipëria është shumë larg BE, për shkak të politikanëve; ndërsa qëndrimi i Edi Ramës, përballë 4 “non grata”-ve, është teatral.

Me Saliun bënë pazare natën, ndërsa ditën aktron sikur është armik sa për dekor para SHBA, ndërsa me Tomën, Qifen e Dakon deklarohet hapur mik e aleatë.

Nëse Babloku e ka të vërtetë luftën për largimin e Sali Berishës e Ilir Metës nga politika, nuk ka pse lodhet me aktrime para SHBA-BE, por të miratojë projekt-ligjin e trumbetuar me bujë, për ndalimin e ish-komunistëve, ish-spiunëve, kriminelëve e “non grata”-ve në politikë, mes tyre Tomë Doshi kryetar i PSD dhe djali deputet i Qifes./Pamfleti

puka 2 non-grata sali berisha tomë doshi

Lini një Përgjigje