
Humbja e thellë në zgjedhjet lokale e vënë opozitën në një udhëkryq.
Deputetët e Partisë Demokratike sot para seancë plenare në qëndrimet e tyre para mediave lanë të nënkuptohet se PD e ka të nevojshme një lidership të ri dhe jo më Sali Berishën.
Ndërsa deputetët mbështetës të ‘Rithemelimit’ u justifikuan se zgjedhjet i vodhën dhe se Berisha nuk ka pse të ikë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një prononcim për gazetarët teksa po futej në Kuvend kur u pyet nëse Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i partisë ai u përgjigj se nuk duhet bërë asnjë hap pas.
“Asnjë hap pas. Gjithë synimi i atyre që bëjnë gjithë këtë luftë që të ikë Berisha është që ta lemë PD-në të shkalafitet fare sepse gjithë loja që ka bërë Rama me Alibeun dhe me të tjerët kjo ka qenë, që të bëjë një opozitë që të jetë sa më e pafuqishme përballë makinerisë manipuluese së kësaj qeverie. Ju thoni hajde t’ia japim edhe një dorë Ramës dhe pastaj të ikim të gjithë, të marrim rrugët.”, tha Paloka.
Por ndryshe nga Paloka, mendon deputetja Jorida Tabaku.
Ajo theksoi se Partia Demokratike është fajtore që sot kryeministri Edi Rama ka fituar 53 bashki.
Tabaku thotë se nëse do ishin të bashkuar, atëherë situata do të ishte ndryshe.
“Kam bërë thirrje për të gjithë ato në PD që duhet të ishin bashkë dhe duhet të ishin të unifikuar, kam bërë thirrje që PD-ja të ndryshonte ofertën, sjelljen dhe prandaj kam kërkuar që të reflektojmë, të mos vazhdojmë me të njëjtat justifikime, t’i japim kohë demokratëve dhe vetes se ku ne gabuam. Ka problem të blerjes së votës dhe kanë qenë aty që prej 10 vitesh, unë besoj se nëse do ishim të bashkuar, do i kishim lënë vendin bashkimit, situata do të ishte ndryshe”, shtoi deputetja.
Në këtë thirrje për bashkim, nuk specifikoi nëse i drejtohet Sali Berishës apo jo.
“Unë e kam thënë në shtator, nuk ka rëndësi se kush bën çfarë, ne kemi përsëritur gjërat deri në marrëzi, sot Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë nuk kam parë më shumë trishtim se çfarë kam parë në këto zgjedhje, askush nuk duhet të bëjë deklarata të nxituara dhe të reflektojmë dhe të pranojmë që PD-ja nuk është as më e madhe, as më e bashkuar dhe as më e fortë”, përfundoi deputetja.
Edhe deputeti Ervin Salianji, tha se duhet reflekim derisa të krijohen të gjitha urat e komunikimit që opozita të bashkohet.
“Mendoj që është momenti që të kemi ndryshime reale dhe përgjegjësinë gjithsecili ta shikojë në zonat e tij dhe që e ka dëmtuar PD-në që të kërkojë llogari. Deputetë të PD-së që nuk bëjnë asnjë ditë fushatë. Ka njerëz që kanë punuar edhe kundër.
Së pari të mbajnë përgjegjësi dhe ata që kanë pasur përgjegjësi konkrete në raport me rezultatin. Rama përdor bandat, paratë, administrata, shtabet, krimi, por përtej këtyre PD dhe opozita duhet të gjejë mekanizmat për të tejkaluar vetveten.
Gjithsecili që ka ambicie apo skema për të përfituar nga ky momenti i dobët duhet të reflektojë për interes të demokratëve. Opozita duhet të merret me veten.” tha ai.
Edhe deputeti Ferdinand Xhaferaj thotë se Sali Berisha në krye të PD nuk premton perspektivë për shkak të marrëdhënieve që ka me ndërkombëtarët. Sipas tij, Berisha duhet të jetë vagon, jo në krye të PD.
“Zoti Berisha me të shkuarën e tij, me marrëdhëniet që ka me ndërkombëtarët nuk premton perspektivë për më shumë se 500 mijë shqiptarë. E kemi pasur 13 vite drejtues dhe lokomotivë të trenit opozitar.
Mund të jemi pjesë e një zgjidhje që shkon përtej nesh. Na duhet lidership i ri. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ky është presioni që duhet bërë”, tha ai.
Ndërsa deputeti Kreshnik Çollaku tha se për ringritjen e PD që sipas tij bëhet forcë qeverisëse përmes 2 kritereve.
Çollaku shprehet se njëra ka të bëjë me bashkimin e opozitës ndërsa tjetra me marrëdhëniet e SHBA që s’duhet të jenë të cënuara. Me këtë duket se i jep mesazh Sali Berishës, i cili është i shpallur ‘non grata’.
“PD ka 2 komponentë jetikë për të kthyer forcë qeverisëse dhe fituese. E para që demokratët të bashkohen, e dyta që marrëdhëniet me SHBA të jenë të pacenuara”, tha Çollaku.
Lini një Përgjigje