TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Maj 2023, 10:43

Opozita “Salijanji”, lakror me vaj kikiriku!

Shkruar nga Pamfleti
Opozita “Salijanji”, lakror me vaj kikiriku!
Ervin Salianji dhe Sadri Abazi

Vetëm një konstituencë që do ta rikrijojë nga e para një opozitë krejt të re, liberaldemokrate, është zgjidhja e rindërtimit të opozitës.

Dorëheqja e Enkelejd Alibeajt nuk ishte fare një gjest teknik siç po rendin ta konsiderojnë njerëz të opozitës që janë turrur me ‘lugë në brez’.

Ai ishte një akt politik i pastër, ç’ka realisht e bën çdo lider perëndimor kur nuk arrin një objektiv politik në zgjedhje.

Rendja e Gaz Bardhit, për të bërë komandimin e komanduesit, për ta zëvendësuar Enkelejdin me dy të tjerë: Joridën në krye të PD-së e Ervin Salianjin në krye të grupit, është thjesht një vakt i shpifur që jo vetëm nuk e ha kush, por sa i afrohet tepsia e lakrorit që këta nikoqirë kanë bërë fët e fët, ja hedhin kokës.

Një lakror me vaj kikiriku, që bëhet sa për të kaluar radhën, e jo me qejfin e pasionin për të holluar petat e freskëta e mbushur tepsinë me gjalpë, qepë e domate nga më të mirat.

Opozita “Salijanji”, lakror me vaj kikiriku!

Ashtu siç pritej, edhe pse Sali Berisha, ka zaptuar si barbarët e tij toka, ndërmarrje e ndërtesa në fillim të viteve 90 të shekullit të shkuar, qendër nevralgjike e zhvillimeve do të bëhej pas 14 majit, PD-ja e jo foltorja pa leje e Saliut, që ka hyrë me qira në vulën e Ilir Metës.

Sali Berisha, sado kërkon të bëhet si Shaban Qosja që të bëhet protagonist duke thirrur: Nuk jap dorëheqjen, atij nuk ja var më kush. Madje as Ilir Metën, i cili mori këshilltarë qyl, duke marrë votat e elektoratit opozitar.

Kandidatët e Sali Berishës, morën ata vota që morën, pasi njerëzit që nuk e duan Edi Ramën dhe vendosën të votojnë BF-së, vetëm në sajë të vlerave personale dhe ngaqë nuk kishte kandidatë të denjë Partia Demokratike. E kjo është e qartë si kristali.

Siç është po aq e qartë, se një pjesë e madhe, që shkon deri në 300 mijë votues të rregullt nuk kanë shkuar në zgjedhje, për t’i treguar Sali Berishës dhe Ilir Metës që nuk ka fitore e pushtet për ta. Kjo jo vetëm është e qartë, por siç ka ndodhur gjithë këto vite, nëse insistojnë të zaptojnë me zor skenën qendrore të opozitës ndaj Ramës, do fishkëllehen edhe më shumë.

Qendra e gravitetit u kthye PD, për dy arsye të thjeshta: ajo është ende një pikë referimi e Perëndimit në Tiranën politike, si dhe ka kartat legale për të përfaqësuar opozitën.

Por akti politik i Alibeajt, nuk mund të mbivendoset me një letër bakalli të një noteri xhambaz si Gaz Bardhi, i cili e di se nuk ‘puth’ më të bëhet deputet në Elbasan. Strukturat e Partisë Demokratike në të gjithë vendin, që i mbijetuan presionit të Berishës, nuk duhet të lejojnë një estradë të tillë bajate, që do të varrosë përfundimisht një bërthamë opozitare, që është e ndërtuar, jo thjesht si karabina, por si referim në territor i një ndërtesë që duhet bërë nga e para.

Vetëm një konstituencë që do ta rikrijojë nga e para një opozitë krejt të re, liberaldemokrate është zgjidhja e rindërtimit të opozitës. Ku komiteti organizator i kësaj konstituente duhet të jenë krerët e degëve të PD-së në 61 bashkitë e vendit. Që duhet të thërrasin një Kuvend të Madh, të hartojnë me dëshirë e dashuri, ftesa për të gjithë ata personazhe që janë larguar nga PD në vite, por natyrisht për këdo që ka dëshirë të aktivizohet. E më pas të hartojë një proces të thjeshtë, por transparent zgjedhjeje për lidershipin. Ku kandidatët për të drejtuar PD-në të dalin në një fushatë të gjatë në territor e të shfaqin alternativat.

Por më e rëndësishmja është ndërtimi i korpusit zgjedhor që do të votojë liderin e ri të opozitës. Kushdo që merr pjesë duhet të anëtarësohet në Partinë Demokratike në një proces procedurial normal. Primaret që do të mbahen për zgjedhjen e liderit të ri, duhet të bëhen vetëm brenda anëtarëve të PD-së, askush nga jashtë që shkon e vjen, sot është me Metën e nesër me Berishën nuk duhet të marrë pjesë. Nuk mund të jetë zgjedhës një hibrit politik. O votojnë anëtarët e PD-së ose ky subjekt shkrihet e nis një proces krejt i ri për të themeluar një parti të re. Ky proces duhet bërë me një kujdes aq të madh, e perfeksion procedurial spartan që të mos degradojë në rrumpallën që kanë krijuar në 33 vjet injorantët e doktorit, që as nuk dijnë e as nuk e konceptojnë një procedurë demokratike. Kurse deputetët duhet të rrijnë larg. Ata e patën sprovën e tyre në 14 maj, e treguan se nuk kanë këllçe por qëndronin në dy anë; natën shanin doktorin në ambasada e ditën puthnin kolonelët e Sali Berishës.

Ka edhe një gjë tjetër. PD duhet të mbajë larg Ilir Metën. Këshilltarëve bashkiakë të zgjedhur duhet t’u kërkohet të deklarojnë: ose i qëndrojnë PD-së, ose nuk kanë punë më në këtë subjekt të ri. Të rrijnë me Ilir Metën. Pastaj nëse do bëhet koalicion me Partinë e Lirisë në 2025, është një çështje që i takon partisë e forumeve të reja. E mira është që të opozita të dezintoksikohet nga gjithë ai ball kazani që ka sjellë Likja me duhmat e tij nga frika e burgut. PD nuk duhet të ketë as një skelet në dollap, aq më pak opozita e bashkuar. / Pamfleti

opozita lakror me vaj kikiriku enkelejd alibeaj

Lini një Përgjigje