Fakti që të pesta pushtimet e mëparshme dështuan, duhet të jetë një tregues se edhe këtë herë rezultati mund të jetë një përsëritje e asaj që ndodhi midis viteve 1982-2006...
Vdekja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, gjatë një sulm ajror izraelit në Bejrut më 27 shtator, e ka lënë pa udhëheqës organizatën militante libaneze në një moment shumë kritik. Dy ditë më parë, në një fjalim të transmetuar në mbarë botën, kreu i komandës veriore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), gjenerallejtënant Herzi Halevi, u tha ushtarëve të tij të përgatiteshin për një sulm të mundshëm ndaj Libanit.
Ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se sulmi ajror i 27 shtatorit ndaj selisë qendrore të Hezbollahut në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh, ishte një përgatitje për një sulm të mundshëm. Ai erdhi pas disa ditësh sulmesh, për të cilat Izraeli pretendon se kanë eliminuar një pjesë të madhe të udhëheqjes së lartë të Hezbollahut.
Halevi u tha trupave të tij më 25 shtator, se ata “do të hynin brenda, do të asgjësonin armikun, dhe do ta shkatërronin me vendosmëri infrastrukturën e Hezbollahut”. Duke qenë se Hezbollahu gjendet midis popullatës libaneze, kjo strategji do të sjellë vdekjen e shumë civilëve të pafajshëm.
Që nga viti 2006, si Hezbollahu ashtu edhe IDF janë përpjekur të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë midis tyre. Megjithëse sulmet e tmerrshme të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi shkaktuan një rifillim të armiqësive, deri javën e kaluar, të dyja palët bënin thirrje për vetëpërmbajtje.
Po çfarë ka ndryshuar? A është tani i pashmangshëm një pushtim tokësor i Libanit? Dhe nëse po, çfarë do të thotë kjo për Hezbollahun dhe Libanin? Izraeli ka një histori të gjatë të angazhimit në aventura ushtarake në Liban, të cilat kanë shërbyer vetëm për t’i bërë më të fortë kundërshtarët e tij në terma afatgjatë.
Shkatërrimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) nuk e pengoi shfaqjen e Hamasit. Përkundrazi ndihmoi në krijimin e tij. Po ashtu, dëbimi i OÇP-së nga Izraeli në Libanin Jugor, solli edhe krijimin e Hezbollahut. Pavarësisht 5 pushtimeve që nga viti 1978, Izraeli ka qenë i paaftë të pushtojë me sukses edhe pjesën më të vogël të territorit libanez.
Ndërsa të dyja palët po përgatiteshin prej vitesh për një konflikt të ri, përshkallëzimi nisi më 18 shtator, kur Izraeli dha goditjen e parë duke shpërthyer mijëra radiomarrëse në pronësi të operativëve të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 32 militantë dhe plagosur disa mijëra të tjerë.
Ky sulm teknologjik, kishte vite që përgatitej dhe mund të cilësohet si një goditje strategjike për ta çaktivizuar armikun. Koha ishte e duhura, edhe sepse Hezbollahu po bëhej dyshues për pajisjet, ndaj IDF-ja duhej të vepronte ose të humbiste “efektin surprizë” .
Kjo tregon se konsideratat operacionale, po marrin përparësi ndaj atyre strategjike dhe politike, për të cilat studimet tregojnë se rrallëherë janë një ide e mirë. Megjithatë, këto sulme besohet se e kanë gjymtuar tani për tani komandën e Hezbollahut, dhe e kanë forcuar besimin e udhëheqjes së IDF-së për të pasur sukses.
Një taktikë e përdorur ditët e fundit nga IDF, është ajo që është zhvilluar gjatë shumë viteve në “Linjën Blu”, kufiri de fakto që ndan Izraelin dhe Libanin. Të inkurajuar nga dështimi i IDF për ta mposhtur atë në luftën e korrikut 2006, operativët e lartë të Hezbollahut kanë qenë aktivë në Linjën Blu, e cila monitorohet nga afër nga IDF.
Kjo i dha mundësi IDF-së të fotografonte, identifikonte dhe gjurmonte udhëheqjen e lartë të Hezbollahut. Prandaj që nga 7 tetori, ne kemi parë një sërë vrasjesh të operativëve të saj kryesorë, si Ibrahim Aqeel, komandant i forcës elitare të Hezbollahut, Radwan, dhe së fundmi të Mohammed Sarour në Bejrut.
IDF beson se e ka gjunjëzuar Hezbollahun. Përshkallëzimi që po shohim aktualisht, po ndodh sepse IDF-ja po përdor avantazhet e saj dhe po zbaton të njëjtën strategji si në Gaza: bombardimin e çdo zone që mund të pretendojë se është një objektiv i Hezbollahut. Kjo ka pasur pasoja shkatërrimtare për popullsinë libaneze.
Ministria e Shëndetësisë deklaroi të premten se 1.540 njerëz ishin vrarë që nga 8 tetori 2023, dhe mijëra civilë të pafajshëm ishin plagosur. Mbi 70.000 civilë, thuhet se janë regjistruar në 533 strehimore në të gjithë Libanin, dhe rreth 1 milion njerëz janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre.
Vdekja e Nasrallahut e ka lënë Hezbollahun përkohësisht pa udhëheqës. Ndërkohë vrasja e disa prej figurave të tij të larta, e ka privuar atë nga komandantët me përvojë, shumë prej të cilëve kishin përvojë luftarake të kohëve të fundit në Siri. Dhe bombardimi i Libanit Jugor, po e pakëson furnizimin e Hezbollahut me raketa dhe armë të tjera.
Megjithatë, Izraeli nuk duhet të supozojë se Hezbollahu ka dalë jashtë loje apo ta nënvlerësojë atë. Fuqia e vërtetë e Hezbollahut, ka qenë gjithmonë aftësia e tij për t’u shkrirë në mesin e popullatës. Dhe ai do të jetë gati të nisë një luftë rrënimi me taktikat “godit dhe largohu”, nëse IDF bën gabimin e fillimit të një sulmi nga toka.
Fakti që të pesta pushtimet e mëparshme dështuan, duhet të jetë një tregues se edhe këtë herë rezultati mund të jetë një përsëritje e asaj që ndodhi midis viteve 1982-2006. Për më tepër, ndërsa reagimi i Iranit ndaj përshkallëzimit deri më tani qenë i heshtur, Teherani nuk ka gjasa që ta braktisë Hezbollahun.
Një konflikt i gjatë, i zgjatur dhe me intensitet të ulët, do të favorizonte llojin e taktikave asimetrike të përdorura nga “boshti i rezistencës” , i cili përfshin gjithashtu fqinjin e Libanit, Sirinë. Duke bombarduar dhe zhvendosur popullsinë libaneze, IDF-ja synon që të ulë moralin e tyre.
Tani po shkatërron shtëpi private dhe ndërtesa publike, me arsyetimin se janë depo municionesh dhe armësh të Hezbollahut. Në Liban, çështja e Palestinës është konsideruar gjithmonë si shkaku kryesor i luftës civile që ndodhi midis viteve 1975-1990. Ndaj IDF-ja po mbështet popullin libanez që kthehet kundër Hezbollahut për të nxitur një luftë të re kundër tyre.
Por, ndërsa në Liban ka shumë njerëz që nuk e mbështesin Hezbollahun dhe aktivitetet e tij në Libanin Jugor, IDF duhet të kujtojë të kaluarën. Edhe nëse ndjenjat kundër Hezbollahut janë sot të forta, bombardimet izraelite pa dallim nuk do të tolerohen pafundësisht nga popullata libaneze.
Vlen të përmendet se në vitin 1982, kur IDF-ja pushtoi Libanin jugor, disa libanezë i pritën me oriz dhe lule, duke i parë si çlirimtarë nga OÇP. Por kjo pritje nuk zgjati shumë. Në vitin 2006, IDF-ja zbatoi një strategji të ngjashme, duke goditur autokolonat e evakuimit të civilëve dhe zyrat e OKB-së.
Sërish, opinioni publik u kthye me shpejtësi në favor të “Al-Muqawimah” (rezistencës). Synimi i shpallur i IDF-së, është ta dëbojë Hezbollahun në veri të lumit Litani, për ta detyruar atë që të respektojë rezolutën 1701 të OKB-së, dhe t’i japë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre banorëve të zhvendosur nga Izraeli Verior.
Por do të ishte një qasje naive e Izraelit dhe IDF-së, nëse mendojnë se një pushtim apo një fushatë bombardimesh, pavarësisht sa e suksesshme në periudhën afatshkurtër, do t’u japë mundësi civilëve izraelitë që të jetojnë në paqe përgjatë Linjës Blu në një periudhë afatgjatë.
Tek e fundit, e vetmja rrugë për të ecur përpara, është që të dyja palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë. Kostoja njerëzore e strategjisë aktuale të Izraelit në Liban, është e tmerrshme për t’u menduar. Dhe sipas të gjitha gjasave, ajo do të krijojë më shumë urrejtje, duke frymëzuar një brez të ri luftëtarësh anti-izraelitë, në vend se të krijonte bazën për një paqe të qëndrueshme./Përshtati Pamfleti nga “Asia Times”
Shënim: Vanessa Newby, profesoreshë në Institutin e Sigurisë dhe Çështjeve Globale në Universitetin e Leidenit në Holandë. Chiara Ruffa, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Shkenca Po, Paris.
Lini një Përgjigje