TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Mars 2024, 10:36

Pse Evropa e sakrifikoi Ukrainën?

Shkruar nga Arta Moeini

Pse Evropa e sakrifikoi Ukrainën?

Narrativa e “unitetit perëndimor” për Ukrainën ka qenë gjithmonë një mirazh, një “gënjeshtër e fisme” e krijuar enkas për të fshehur natyrën perandorake të sistemit të aleancës amerikane, çekuilibrat e saj që veprojnë kundër Evropës dhe kërkesat ndaj ekonomive evropiane.

Politika e Perëndimit ndaj Ukrainës duket se ka arritur në një pikë kthese. Uashingtoni dhe Brukseli kanë shpenzuar tani më shumë se 200 miliardë dollarë për luftën. Nëse llogaritet  inflacioni, kjo shumë e tejkalon shumë koston totale të Planit Marshall, që e rindërtoi Evropën në pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Pas dështimit të një kundërofensive të shumëpërfolur të ukrainasve gjatë vitit të kaluar, udhëheqësit në të dyja brigjet e Atlantikut e kanë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e fondeve të reja për të ndihmuar Kievin në vazhdimin e luftës.

Bashkimi Evropian gjeti më në fund muajin e kaluar konsensusin mbi një paketë të re ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën. Por kjo ndodhi pas disa muajsh shtyrjesh për shkak të kundërshtimit të Hungarisë. Ndërkohë, partitë skeptike ndaj luftës po rriten ndjeshëm në sondazhe në disa vende.

Kjo për shkak të votuesve të zemëruar me krizën e madhe të kostos së jetesës që ka shkaktuar si lufta po ashtu edhe sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, Lufta e Ukrainës ka qenë një katastrofë strategjike për kontinentin, duke i dhënë fund çdo aspirate të Evropës për të arritur një autonomi të vërtetë strategjike, duke e vasalizuar atë ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe duke e lënë atë në gjendjen më të dobët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht se si do të përfundojë konflikti në Ukrainë, Evropa, sidomos ajo perëndimore, ka humbur. Në këto kushte, pse udhëheqësit evropianë mbeten kaq armiqësorë ndaj përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës?

Javët e fundit, presidenti francez Emmanuel Macron shkoi aq larg sa të sugjeronte dërgimin e trupave evropiane ose të NATO-s në Ukrainë. Madje ai këmbënguli në këtë propozim kur komentet e tij u pritën me kritika, duke theksuar se kjo luftë është “ekzistenciale” për Evropën dhe se asnjë opsion nuk duhet të jetë jashtë tryezës së diskutimeve.

Por pretendime të tilla nuk bazohen tek realiteti. Siguria evropiane nuk është “në rrezik”. Rusia nuk është në gjendje të pushtojë dhe as të mbajë as gjysmën e Ukrainës, e lëre më pastaj të zgjerohet përtej saj. Dhe miti i zakonshëm në Perëndim, sipas të cilit Putin synon të rivendosë perandorinë sovjetike, është një mitologji e hiperbolizuar dhe e shkëputur nga realiteti.

Megjithatë, angazhimi i elitave të BE-së ndaj Ukrainës pavarësisht kostove, është shumë i qëllimshëm dhe sistematik për t’u shpërfillur si një marrëzi apo paaftësi e plotë. Nën mburrjet për unitetin evropian fshihet një luftë politike për vendosjen e sovranitetit mbi-kombëtar të BE-së.

Një projekt që i tejkalon të gjitha konsideratat e tjera, duke përfshirë autonominë strategjike të vetë Evropës. Shqetësimi i Macron-it se fitorja ruse në Ukrainë (një shtet jo anëtar i BE-së) do të zhdukte “besueshmërinë” e Evropës, ka kuptim kur e pranojmë se ai dhe liderët e tjerë janë të angazhuar në një projekt gjithëpërfshirës të ndërtimit të shtetit nga lart-poshtë, në të cilin gjendja e Ukrainës luan një rol themelor.

Ukraina është bërë një temë qendrore në axhendën e transformimit të Bashkimit Evropian, nga një shoqatë rajonale dhe institucionale e shumë kombeve në një super-shtet sovran administrativ. Pra në Shtetet e Bashkuara të Evropës.

Establishmenti evropian ka një lidhje ontologjike me Ukrainën: në mendjet e shumë teknokratëve evropianë, “Evropa” ka përfshirë gjithmonë Evropën Lindore, por përjashtonte Rusinë. Kësisoj konflikti në Ukrainë, ripohon kufijtë territorialë konceptualë të shtetit të tyre të imagjinuar kontinental.

Por më e rëndësishmja, narrativa e ndërtuar rreth situatës tragjike të Ukrainës, është instrumentale për ambiciet e mëdha të Bashkimit Evropian si për konfirmimin e legjitimitetit politik. Duke pasur parasysh dominimin e modelit të shtetit-komb dhe të besimit tek sovraniteti popullor si një bazë për legjitimitetin e shtetit, të gjitha shtetet moderne - edhe ato në dukje transnacionale dhe perandorake - duhet të legjitimohen përmes krijimit të identitetit me një popull.

Në epokën moderne, kur sovraniteti dhe legjitimiteti politik varen nga “identiteti”, më shumë se nga cilësitë specifike të sundimtarëve, të gjithë të sunduarit e justifikojnë pushtetin.  Tentakulat gjithnjë në rritje të shtetit modern janë rrënjosur pas një “Ne-je” (populli) vetë-legjitimues, i projektuar në mënyrë të tillë që klasa sunduese e përdor vazhdimisht për t’i dhënë dritën jeshile çdo teprimi.

Kështu, shtetet moderne nuk janë vetëm jo-personale dhe pa fytyrë, por ato janë formuar bazuar tek një rrjet mitesh dhe rrëfimesh mbi njerëzit. Megjithatë, jo vetëm që nuk ka personazhe historike evropiane që mund të mishërojnë Shtetet e Bashkuara të Evropës, por teknokratët e BE-së e përçmojnë në thelb idenë romantike të kombësisë që farkëtoi shtetet moderne nga traditat dhe kulturat para-ekzistuese të Evropës së shekullit XIX-të.

Në vend të kësaj, përpjekja moderne dhe e vonuar për ndërtimin e kombit evropian, varet nga ndërtimi i një identiteti të përbashkët qytetar. Pra për të vendosur legjitimitetin e saj, klasa sunduese aspirante e super-shtetit të ri duhet të shfrytëzojë dhe të krijojë shoqërisht një popull pseudo-mitik, abstrakt dhe jo-historik të bazuar në vlerat liberale kozmopolite, ato në të cilat ata janë socializuar pas luftës.

Duke njohur fuqinë emocionuese të luftës së Ukrainës kundër dominimit rus, elitat evropiane e kanë përvetësuar këtë luftë për të predikuar parimet ideologjike që për ta nënkuptojnë “evropianitetin” dhe në fakt vetë qytetërimin.

Me sa duket brenda natës, Ukraina filloi të mbrojë “vlerat e ndritura evropiane”- lirinë, demokracinë, tolerancën, qeverisjen e mirë, e kështu me radhë - teksa Rusia ishte transformuar në të kundërtën e Evropës së qytetëruar, në hordhinë barbare që ka mbërritur tek porta.

Burimi më i thellë i fiksimit të establishmentit evropian ndaj Ukrainës, është pikërisht pozicioni i saj si viktimë e “agresionit” nga një armik më i madh dhe më i fuqishëm. Siç e kuptoi Nietzsche i pari, moderniteti është një epokë në të cilën bota kryesisht përjetohet përmes thjerrëzave të shtypjes, ndërsa identitetet formohen nga “etika e pakënaqësisë”.

Të shtypurit konsiderohen në thelb të drejtë dhe atyre u jepet vlera morale e fundit. Në këtë aspekt, mbrojtja e “të shtypurve” bëhet ideologjia bazë për shtetin, duke shërbyer si një mjet për klasën sunduese për të fituar dhe konsoliduar pushtetin, duke e shenjtëruar epërsinë e tyre dhe duke mbjellë farën e pushtetit të tyre të ardhshëm si çlirimtarë të mëdhenj.

Ky “viktimizim” ka prodhuar edhe parimin organizues që qëndron pas pjesës më të madhe të agjendës sociopolitike të Bashkimit Evropian: promovimi i multikulturalizmit, diversitetit dhe të drejtave të LGBTQ, politikat e tij për gjuhën e urrejtjes, emigracionin dhe edukimin, ku të gjitha janë në qendër të identifikimit të fajtorëve dhe shenjtërimit të një shoqërie të pambrojtur dhe të një pakice të “paprivilegjuarish”.

Shpëtimi i viktimës së virtytshme gjeneron një përfitim të madh moral, dhe shërben si një mekanizëm legjitimues për Brukselin, duke siguruar fuqizimin e tij të vazhdueshëm institucional dhe burokratik. Vuajtja e Ukrainës, ofron një mundësi të re për të zgjeruar narrativën viktimizuese që tashmë e drejton politikë-bërjen e BE-së.

“Ukraina” (si mitologji) luan një rol të madh në skemën e zgjidhjes së kufijve të Evropës së re me përjashtim të Rusisë. Por edhe në formimin e identitetit, që është baza mbi të cilën elitat neofeudale të Evropës synojnë të farkëtojnë borgjezinë e re evropiane e kozmopolite.

Vullneti për të shpikur dhe prodhuar një popull të tillë kërkon nënshtrimin, asimilimin dhe në fund ri-socializimin e popujve të vërtetë historikë që tashmë banojnë në Evropë, por historitë e ndërlikuara të të cilëve dhe këmbëngulja e rregullt për dallimet dhe veçoritë i bëjnë ata të pakëndshëm, të pahijshëm dhe të vjetëruar në mendjet e njerëzve.

Me zbehjen e kujtesës historike të mizorive naziste që frymëzuan fillimisht një bashkim kozmopolit në Evropë, imazhi emocionues i ukrainasve të pambrojtur që luftojnë trimërisht për lirinë e tyre kundër shtypësve fashistë, është në shumë mënyra miti themeltar ideal për një komb perandorak aspirant që shpreson të pagëzojë popuj të rinj në ujërat pastrues të vuajtjeve njerëzore.

Narrativa e “unitetit perëndimor” për Ukrainën ka qenë gjithmonë një mirazh, një “gënjeshtër e fisme” e krijuar enkas për të fshehur natyrën perandorake të sistemit të aleancës amerikane, çekuilibrat e saj që veprojnë kundër Evropës dhe kërkesat ndaj ekonomive evropiane.

Prandaj, projekti statist evropian është paradoksal në pamjen e tij: Asnjë shtet modern nuk mund të pretendojë se është vërtet sovran ndërsa i nënshtrohet një tjetri, edhe nëse shteti tjetër është zhvilluar në mënyrë të ngjashme në një mënyrë proporcionale, perandorake dhe ideologjike .

E megjithatë, tani për tani liderët ambiciozë të BE-së duken të përgatitur për atë sakrificë, duke besuar se krijimi i një themeli të fortë për shtetin e tyre të ri “komb” kontinental, ia vlen të bëhet një protektorat de fakto i Uashingtonit për një ose dy dekada, derisa të fitojnë aftësitë bazë për të përcaktuar kursin e tyre.

Tek e fundit, elitat qeverisëse të Bashkimit Evropian po synojnë të centralizojnë pushtetin në Bruksel dhe t’i heqin të drejtën e votës shteteve të tjera anëtare. Nëse ndjekja e kësaj ambicie burokratike dhe totaliste për sovranitet politik bëhet në kurriz të zhvillimit ekonomik dhe autonomisë strategjike, ky është me sa duket një çmim që ata janë të gatshëm të paguajnë.

Në këtë garë të brendshme, Ukraina është thjesht një peng: ukrainasit mund të motivohen nga mbrojtja e sovranitetit të tyre kombëtar, por në realitet ata po sakrifikohen për të ngritur më lart padronët e rinj të Evropës, dhe për të çuar më tej ëndrrat e tyre donkishoteske për një super-shtet evropian./Përshtati Pamfleti nga “Compact Magazine”

Shënim: Arta Moeini, drejtuese e kërkimeve në Institutin për Paqe dhe Diplomaci në Bruksel.

arta moeini pse evropa e sakrifikoi ukrainën

Lini një Përgjigje