Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, doli në interpelancë parlamentare pas kërkesës së deputetëve të opozitës Ina Zhupa për të sqaruar një udhëzim të miratuar në shkurt 2025. Ky udhëzim parashikon që mësuesit e diplomuar para vitit 2011, por të punësuar pas këtij viti, duhet të japin provimin e licencës.
Debati u përqendrua te ndikimi i këtij vendimi mbi mësuesit me përvojë në sistem. Deputetja Ina Zhupa kritikoi masën duke e cilësuar të padrejtë për ata që kanë vite pune dhe kualifikime të fituara gjatë kohës.
“Me një udhëzim, kujtohen dhe thonë që pasi ke 15 vite që je mësues dhe pasi ke dhënë kontribut në arsim, pasi ke kaluar nga mësuesi i kualifikuar në atë specialit, kur t’i duhet të marrësh kualifikim si mësues mjeshtër, këta të thonë bëhu dhe njëherë student dhe jep provimin e licencës”, thotë Zhupa.
Ministrja Kumbaro argumentoi se udhëzimi mbështetet në kuadrin ligjor ekzistues dhe nuk përbën risi në thelb. Ajo iu referua ligjit për profesionet e rregulluara, në fuqi që nga janari 2011, i cili përcakton kriteret për ushtrimin e profesioneve të tilla.
“Në nenet 7 dhe 8 të ligjit “Për Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe që ka hyrë në fuqi në 12 janar të vitit 2011, përcaktohet se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Është e përcaktuar shumë qartë edhe në ligj, se mësuesit të cilët kanë qenë të punësuar në sistem, para vitit 2011, përpara se ligji për profesionet e rregulluara, të ketë hyrë në fuqi, përjashtohen nga ky detyrim! Sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Kumbaro.
Opozita ngriti edhe çështjen e kostove dhe të organizimit institucional. Zhupa e lidhi vendimin me projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore dhe paralajmëroi pasoja financiare për mësuesit.
“Ju prishni sigurinë në vendin e punës, e drejta e fituar, siguria juridike mësuesve, që nuk janë pak, janë 2 mijë mësues. Përveç se duhet të mësojnë, duhet të paguajnë dhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot kemi një pikë tjetër, këtë qendrën e shërbimeve arsimore që jep licencat, ta marrë privati. 200 milionë lekë janë vetëm nga ky detyrim. Marrëveshje për tu pasuruar në kurriz të mësuesve”, tha Zhupa.
Në përgjigje, Kumbaro sqaroi se udhëzimi i vitit 2025 nuk ndryshon detyrimet ligjore, por i referohet atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe synon zbatim më të qartë.
“Është e rëndësishme të qartësohet se ky proces nuk synon të krijojë pasiguri apo të penalizojë askënd, por të ndërtojë një sistem më të drejtë dhe më të qëndrueshëm në afatgjatë. Dhe mbi të gjitha, dua ta them shumë qartë: nuk po hiqet askush nga puna! Por po shoqërojmë me komunikim dhe trajnim edhe ata pak mësues qe ende nuk e kane kryer këtë detyrim ligjor, pa u cenuar aspak sigurinë juridike apo profesionale, qe nuk e di se nga e shpikët”, tha Kumbaro.
Lini një Përgjigje