TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Prill 2026, 12:57

“Para publike për miqtë e Ramës”, Nufi hedh poshtë akuzat e Balliut për KAYO

Shkruar nga Pamfleti

“Para publike për miqtë e Ramës”, Nufi hedh

Balliu denoncon favorizime dhe rrezik për sigurinë, Nufi mbron modelin e bashkëpunimit me sektorin privat

Deputeti demokrat Klevis Balliu ngriti akuza ndaj ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, për mënyrën se si po funksionon kompania shtetërore e prodhimit të armëve, KAYO.

Gjatë seancës parlamentare ku është zhvilluar edhe interpelanca me ministrin e Mbrojtjes lidhur me kompaninë KAYO, Balliu deklaroi se kjo strukturë po përdoret për të favorizuar persona të lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe se situata ndikon negativisht në sigurinë kombëtare.

Balliu tha se KAYO po bashkëpunon me kompani me kapital të ulët, duke vënë në dyshim seriozitetin e tyre në industrinë ushtarake. Sipas tij, këto partneritete lidhen me projekte që synojnë modernizimin e ushtrisë.

Ai solli si shembull kompaninë TIMAK Defence, e krijuar nga KAYO dhe Timak, dhe deklaroi: "49% e kësaj kompanie i shitet një personi Jon Jefet, mik i Edi Ramës, një njeri që bashkëpunon me biznesmenë të nivelit më të lartë rusë, një njeri që është nën hetim për korrupsion. Ky njeri blen 49% të kësaj kompanie për vetëm 450 euro. Pas 4 muajsh mori 10.5 milionë euro te Ministria e Mbrojtjes".

Sipas deputetit demokrat, KAYO po lidhet edhe me kompani që në disa vende të NATO-s janë të ndaluara ose nën hetim për korrupsion.

Por, ministri Nufi i kundërshtoi këto pretendime dhe deklaroi se aktiviteti i kompanisë synon rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ai theksoi se bashkëpunimi me sektorin privat nuk është praktikë e re dhe përdoret nga vende aleate.

"Ky nuk është një model që është i njohur në Shqipëri, ka një lloj paragjykimi për veprimet e shoqërisë, është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapital privat dhe shtetëror për mbrojtjen e një industrie. Nuk flasim për një biznes të thjeshtë, është ndër më të vështirat sepse mban një kontroll shumë të lartë dhe mbart garanci të shtuara ligjore teksa prodhimi dhe shitja e armëve rregullohet në marrëdhënie shtet me shtet", tha Nufi.

Ai shtoi se kompanitë partnere janë të specializuara në prodhimin e municioneve dhe se bashkëpunimi pritet të sjellë përfitime ekonomike dhe punësim.

"Në kundërshtim nga çfarë pretendon deputeti i nderuar, që i gjykoj të nxituar dhe aspak serioze për sa kohë flasim për sigurinë kombëtare dhe kapacitet prodhues në Republikë, do të ishte shumë e drejtë të ishte një realitet tjetër, sot fqinjët tanë kanë 5 miliardë euro në vit fitim nga industria ushtarake përveç faktit që forcat e ushtrisë kanë rezerva të garantuara për sigurinë kombëtare. Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital, deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milion euro, të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat", tha Nufi.

 

 

 

nufi balliu kayo

Lini një Përgjigje