
Figura të larta shtetërore kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi për familjen dhe kanë vlerësuar kontributin e tij në kulturën dhe mendimin shqiptar.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi përmes një mesazhi publik, ku vlerësoi figurën e akademikut dhe i shprehu ngushëllime familjes.
“Një akademik i rrallë iku nga Panteoni… Rexhep Qosja ishte një nga mendjet më të bukura të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe miqve.
Pusho në paqe, Profesor!”, shkruan Begaj.
Ngushëllime për familjen e Qosjes ka shprehur edhe kryeministri i vendit, i cili e ka kujtuar akademikun përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“LAMTUMIRË SHQIPTAR I MIRË! Ngushëllime vëllazërore familjes, të afërmve e miqve të Profesor Rexhep Qoses”, shkruan Rama.
Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar vetë familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.
Sipas familjes, akademiku ka ndërruar jetë sot dhe është varrosur po sot vetëm me prani të familjarëve të tij.
Më dëshirën e të ndjerit, familja thekson se nuk do të organizojë ceremoni pritjeje dhe as do të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Kush ishte Rexhep Qosja:
Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të njohura të letërsisë, kritikës letrare dhe mendimit intelektual shqiptar. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), ndërsa veprimtarinë e tij më të rëndësishme akademike dhe kulturore e zhvilloi në Kosovë.
Qosja kreu studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku më pas u angazhua si pedagog dhe studiues. Ai u bë një nga emrat kryesorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku kontribuoi për dekada në fushën e studimeve letrare dhe historike.
Kontributi në letërsi dhe kritikë
Rexhep Qosja njihet veçanërisht për veprat e tij në kritikën letrare, historinë e letërsisë dhe eseistikën. Ai ka analizuar në mënyrë të thelluar zhvillimin e letërsisë shqipe dhe figurat kryesore të saj. Ndër veprat më të njohura janë studimet për rilindasit dhe autorët modernë shqiptarë, si dhe analiza mbi identitetin kulturor shqiptar.
Në letërsinë artistike, ai ka lënë gjurmë me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, një nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe bashkëkohore.
Angazhimi publik dhe politik
Përveç veprimtarisë akademike, Qosja ka qenë aktiv edhe në jetën publike dhe politike, veçanërisht gjatë viteve ’90. Ai ka mbajtur qëndrime të forta mbi çështjen kombëtare shqiptare, zhvillimet në Kosovë dhe marrëdhëniet shqiptaro-shqiptare.
Qosja ka qenë një zë kritik në debatet publike, shpesh duke shprehur qëndrime të drejtpërdrejta dhe polemike për çështje të ndryshme politike dhe shoqërore.
Lini një Përgjigje