
Partia Demokratike zhvillon sot protestën e 3-të rradhazi poshtë zyrave të Kryeministrit Edi Rama, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Protesta në formatin e një parlamenti qytetar pritet të nisë në orën 18:00, ndërsa më herët kreu democrat Sali Berisha tha se ato nuk do të ndalen dhe do të jenë të përjavshme deri në realizimin e qëllimit final.
Në dy protestat e para ka pasur një pjesëmarrje shumë të vogël të mbështetësve të opozitës, por duket se kjo nuk ka shqetësuar demokratët e drejtuar nga Berisha, i cili ka deklaruar se kjo platformë synon që qytetarët dhe deputetët të thonë fjalën e tyre.
Por pavarësisht pjesëmarrjeve, policia ka marrë masa duke bllokuar disa nga segmentet rrugore, si dhe duke angazhuar një numër të lartë efektivësh në mbrojtje të godinës qeveritare.
Për protestën e sotme bllokimi i qarkullimit në bulevard ka nisur prej orës 15:00 deri në përfundimin e tubimit, ndërsa do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin që nis nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Po ashtu, të gjitha rrugët që lidhen me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza” do të jenë të bllokuara.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, përballë Kryeministrisë nuk është vendosur gardh metalik dhe po kështu ka një përgjysmim të forcave të rendit të angazhuara për mbarëvajtjen e tubimit. Raportohet se për protestën e sotme janë të angazhuar rreth 300 punonjës të policisë, nga 600 që u angazhuan në dy protestat e para.
Lini një Përgjigje