Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se depolitizimi i komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta mbetet një domosdoshmëri për garantimin e një administrimi më të mirë të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ai vlerësoi se edhe partitë politike mbajnë përgjegjësi për situatën aktuale.
Sipas Celibashit, përbërja politike e komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë nuk siguron plotësisht integritetin dhe profesionalizmin e administrimit zgjedhor. Për këtë arsye, ai theksoi se menaxhimi i zgjedhjeve nuk duhet të mbetet vetëm në duart e partive politike.
“Përbërja partiake e komisioneve të nivelit të dytë dhe të tretë nuk garanton integritet të plotë të administrimit të procesit zgjedhor dhe profesionalizëm. Ndaj është domosdoshmëri që administrimi zgjedhor në nivelin e dytë dhe te tretë të mos jetë vetëm në duart e partive politike. Shpresoj shumë të ndryshojë kjo situatë me qëllim që çdo sipërmarrje e KQZ apo aktorëve të tjerë në kuadër të administrimit të zgjedhjeve të ketë efiçiencë dhe të ketë dobi”, deklaroi ai.
Celibashi e lidhi depolitizimin e këtyre komisioneve edhe me nevojën për trajnim të qëndrueshëm dhe në kohë të komisionerëve. Aktualisht, anëtarët e komisioneve propozohen nga partitë politike, çka sipas tij ndikon në mungesën e profesionalizmit gjatë administrimit të procesit zgjedhor.
“Pasi përndryshe kjo çështja e trajnimeve do të jetë dhe karakterizohet nga të njëjtat problematika ku partitë politike ndërrojnë komisionerë sa herë ato dëshirojnë. Në administrimin e procesit zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë janë njerëz që nuk kanë trajnimin e mjaftueshëm dhe kjo logjikisht impakton edhe në standardin e administrimit të procesit zgjedhor”, shtoi ai.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Evropës, ku u diskutua ngritja e një strukture të posaçme për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë.
Lini një Përgjigje