TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Janar 2025, 16:18

Primaret në PD, udhëzimi i parë që i jepet kryetarëve të degëve; gara për të mbushur 2/3 e listës

Shkruar nga Pamfleti

 

Primaret në PD, udhëzimi i parë që i jepet kryetarëve

Partia Demokratike duket se po përgatit terrenin për zhvillimin e primareve lidhur me zgjedhjen e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Hapi i parë i ndërmarrë nga selia qendrore e PD-së është shpërndarja e një udhëzimi drejtuar të gjithë kryetarëve të degëve që nëse do të hyjnë në garën e primareve për deputet duhet të dorëhiqen nga pozicionet drejtuese. Madje afati që i është lënë është data 26 janar, kohë kur drejtuesit e degëve që duan të kandidojnë për deputet, duhet të paraqesin dorëheqjet pranë Sekretariatit të Organizimit.

Ndërkohë që brenda pak ditësh pritet të përcaktohen edhe rregullat se si do të organizohen primaret, që do të ndahen sipas qarqeve. Duket se të vetmit që do të shpëtojnë nga ky proces do të jenë drejtuesit politikë në Qarqe, ndërkohë që të gjithë ata që do të duan të jenë pjesë e listave të kandidatëve, do t’i nënshtrohen votës së anëtarësisë.

Megjithëse procesi i primareve është konsideruar nga grupimi i Gazment Bardhit si një rrezik që mund të rikthejë përplasjet dhe inatet në PD, Sali Berisha, kreu i demokratëve, u shpreh i prerë se do të zbatojë statutin dhe askush nuk mund të verë në dyshim këtë proces.

Nuk dihet se sa efikas mund të jenë Primaret në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, por sipas informacioneve nuk do të përdoret vota përjashtuese por ajo vlerësuese.

Pra nga emrat që do të përfshihen në garë, ata që do të marrin më shumë vota do të renditen të parët dhe janë kandidatë për të qenë në listën që do të paraqesë PD si kandidatë për deputetë.

Natyrisht që pjesa më e madhe e atyre që do të dalin fitues nga primaret do të përfshihen në 2/3 e listës së kandidatëve, pra në atë që konsiderohet lista e hapur, pasi në atë që konsiderohet lista e sigurtë, ose më saktë 1/3 e listës, do të përfshihen figurat e spikatura politike, emrat e kryetarëve të partive aleate apo figura të tjera që do të përzgjidhen.

 

 

 

Lini një Përgjigje