TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Mars 2023, 11:34

Presidenti i Malit të Zi në dorë të shqiptarëve

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti i Malit të Zi në dorë të shqiptarëve
Shqiptarët në Mal të Zi

Për herë të parë në historinë e Malit të Zi, vota e shqiptarëve jo vetëm do të jetë e artë, por do të cilësohet e tillë nga dy palët.

Më 2 prill, kur do të zhvillohet raundi i dytë të votave për Presidentin e Malit të Zi, fitorja apo humbja e një kandidati është totalisht në duart e shqiptarëve të Republikës së vogël. Të cilët, përgjithësisht kanë zhvilluar një nga manovrat më të zgjuara dhe më perfekte në 30 vitet e fundit.

Nga zhurma e mediave dhe propaganda politike u fol shumë gjatë natës së mbrëmshme dhe ditës së sotme për raundin e dytë të zgjedhjeve në Mal të Zi, por realiteti në terren është krejt i ndryshëm.

Që ta bëjmë të qartë. Në raundin e parë të votimeve për presidentin e Malit të Zi, kreu i shtetit aktual dhe një nga dinosaurët politikë në Ballkan, Milo Gjukanoviç ka marrë 35% të votave; në vend të dytë është renditur Jakov Milatoviç, me 29,2% të votave, i cili do të ndeshet me Milon më 2 prill.

Milatoviç, është një teknokrat i lidhur me establishmentin filoserb të Malit të Zi. Me të cilin ka qeverisur që nga viti 2020. I treti është renditur kreu i Partisë Demokratike Serbe, Andria Mandiç me 19%  dhe i katërti, Aleksa Beçiç me 10%.

Si numër përqindjesh, po ta marrësh në raundin e parë, del se Milo e ka të humbur davanë, pasi ka që tani 60% të votave kundër. Por në Mal të Zi, përqindja është relative, pasi numri i përgjithshëm i votave në zgjedhjet e zhvilluara në këto 30 vjet shkon tek 320-350 mijë.

Gjukanoviç ka marrë dje 123 mijë vota. E në vitin 2018, mori një rezultat prej 180.272 votash. Pra matematikisht Milo ka rreth 57 mijë vota më pak, por analistët thonë se ai mund të fitojë edhe me 30 mijë vota më shumë. Pasi rezultati i tre kandidatëve kundërshtarë nuk mund të rritet më. Madje Aleksa Beçiç ka marrë edhe vota “të dobishme” ndër shqiptarë apo votues jo proserbe, thjesht për të treguar fuqinë e tij që nuk ka rënë.

Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, që është edhe qyteti më i madh e më i rëndësishëm, ka shënuar një numër prej 7 mijë votash më shumë për Jakov Milatoviçin. E kjo është një fitore, por jo triumf për kandidatin e opozitës.

Pasi sipas të dhënave por edhe analizave që bëjnë mediat malazeze, fakti më i rëndësishëm i raundit të parë, është se votuesit shqiptarë dhe ata boshnjakë nuk kanë votuar. E të dhënat janë të qarta.

Presidenti i Malit të Zi në dorë të shqiptarëve
Presidenti në detyrë Milo Gjukanoviç

Në vitin 2018, Gjukanoviç fitoi që në raundin e parë, kur mori 180 mijë vota, e kishte me vete mazhorancën, qeverinë, pushtetin lokal e natyrisht edhe gjyqësorin. Pra mundësinë për të mobilizuar vota tribale, influence, e natyrisht pragmatiste. Sot ai është në opozitë e doli sërisht në vend të parë.

Në vitin 2018 Milo pati me vete shqiptarët dhe boshnjakët që në raundin e parë. Numri i përgjithshëm i votuesve atëherë ishte 320 mijë votues, e kësaj here mund të ketë rritje, por nga të dy palët.

Boshnjakët që jetojnë jo thjesht në zonën e Bjelo Poljes dhe Rozhajës, por edhe në qendra të mëdha si Podgoricë, Tivar e madje edhe në Tuz dhe Ulqin, kanë bërë të ditur mbështetjen për Milo Gjukanoviçin. Boshnjakët janë rreth 40 mijë votues në Mal të Zi, e në raundin e parë nuk kanë dalë. Por me vetëm votën e boshnjakëve Milo Gjukanoviç nuk bëhet President. Siç dhe Jakov Milatoviç nuk bëhet me votat që ka marrë në raundin e parë, e që është e qartë që nuk merr asnjë votë boshnjake, pasi nuk i ka marrë edhe në Podgoricë, ku partia e tij është e para.

Në logjikë të plotë, pa votën e shqiptarëve nuk zgjidhet Presidenti i Malit të Zi më 2 prill. Po si gjenden shqiptarët politikisht?

Kryeministri Dritan Abazoviç, i cili  në 2020-n thuajse nuk mori vota shqiptarësh fare, e arriti rezultatin që i ka dhënë pozitat e king-makerit. Ai mundi të merrte komunën e Ulqinit me një koalicion qytetar. Kryetari i Ulqinit, që është njeri i afërt i Dritanit, në raundin e parë mbështeti Aleksa Beçiçin, ish-kryetarin e parlamentit, i cili bashkoi votat me Gjukanoviçin që të rrëzojë qeverinë e Abazoviçit. Për raundin e dytë, Dritan Abazoviç ka deklaruar se do të mbështesë kandidatin e mazhorancës Jakov Milatoviç. Ndërkaq, shqiptarët e Malësisë, me në krye Nik Gjeloshajn, kanë bërë të ditur hapur e qartë se në raundin e parë nuk mbështesin asnjë kandidat. Po çfarë do të bëjnë shqiptarët në raundin e dytë?

Presidenti i Malit të Zi në dorë të shqiptarëve
Jakov Milatoviç, kandidati për President në zgjjet e 2 prillit në Mal të zi

Gjukanoviç nuk i përmendi literalisht por tha se kam dy pjesë elektorati që mund të më mbështesin në raundin e dytë, ku ka nënkuptuar shqiptarët e boshnjakët.

Shqiptarët e kanë mbështetur Milon pa kushte në 30 vite, pa marrë maksimalen nga PDS, e cila si në Ulqin, ashtu edhe në Malësi ka ndjekur taktikën ‘përça e sundo’, duke i marrë pjesë të elektoratit çdo zgjedhje.

Megjithatë, nëse shqiptarët përkrahin Milatoviçin, nuk mund gëlltisin lehtë bekimin që atij do t’i japë menjëherë pas zgjedhjeve kreu i Kishës Ortodokse serbe. Por politika në këtë rast është më e rëndësishme sesa logjika fetare e nacionaliste.

Një zyrtar i lartë i grupimit politik shqiptar më të fortë në Mal të Zi, Forumit Shqiptar të Malësisë, i tha ‘Pamfleti’-t se “ende nuk e kemi vendosur. Do të shohim kush ka platformën dhe ofertën më të mirë”.

E që tregon realisht një zhvillim pozitiv, por edhe relaksues, ku për herë të parë në historinë e Malit të Zi, vota e shqiptarëve jo vetëm do të jetë e artë, por do të cilësohet e tillë nga dy palët.

Në referendumin e vitit 2016, Mali i Zi u bë i pavarur ekskluzivisht nga vota shqiptare, por Milo Gjukanoviçi nuk e tha kurrë këtë. Madje as në vitin 2018. Ndaj edhe shqiptarët nuk kanë më entuziazëm për Milon, madje e shohin me kuriozitet edhe kandidatin që është aleat me pro-serbët.

Por duket se janë në pritje për një ofertë të qartë politike, e kjo është realisht një zhvillim pozitiv, madje më pozitivi që ka qenë deri tani për shqiptarët e Malit të Zi. E llogarit nuk janë bashkë të gjithë edhe pse kanë kryeministrin. Nëse bashkohen, ka gjasa që e mbajnë gjatë, madje shumë gjatë…/Pamfleti

 

presidenti i malit të zi jakov milatoviç milo gjukanoviç shqiptarët

Lini një Përgjigje