TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Dhjetor 2024, 18:31

Prapaskenat e Buxhetit/ Si Rama i rrudhi fondet Altin Dumanit, tenton ta mbajë mirë me Kushtetuesen!

Shkruar nga Pamfleti

Prapaskenat e Buxhetit/ Si Rama i rrudhi fondet Altin Dumanit, tenton ta

Ja si u ndryshua buxheti në komisione...

Dalin detajet se si u nda Buxheti 2025 nëpër institucione. Pas një seance të gjatë dje, u bë miratimi nen për nen dhe në tërësi i tij, por nuk dihej fiks se cila ishte ndarja finale. Sipas dokumentit që ka siguruar “Pamfleti”, kemi një pasqyrë të detajuar se si janë rishkuar fondet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave.

Qeveria ka pranuar kërkesa nga shumë institucione, të cilat kërkonin rritje fondesh. Por ajo që bie në sy është se Prokurorisë së Posaçme i është dhënë më pak se gjysma e shumës së kërkuar. Për të qenë më të saktë. Në seancën dëgjimore të zhvilluar në datën 8 nëntor në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e SPAK kërkuan shtesë në total në vlerën 491.4 milion lekë, nga të cilat:

• 349.6 milion lekë shtesë në fondin e pagave për të përballuar pagesat për shtesat në strukturë më këshilltarë ekonomikë dhe ligjorë, si dhe një drejtues Kabineti.

• 22.8 milion lekë shtesë në fondin e mallrave dhe shërbimeve për plotësimin e personelit me stafin e plotë sipas strukturës së miratuar, dhe gjithashtu për shërbime lidhur me natyrën e punës së Institucionit, shpenzime procedurale që lidhen me përgatitjen e dosjes penale, rritjen e konsumit të brendshëm në formën e kancelarive, etj, si rrjedhojë e shtimit të volumit të punës.

• 119 milion lekë shtesë në zërin e investimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re dhe urës lidhëse midis dy godinave si dhe investime të lidhura me të.

Mirëpo Komisioni i Ligjeve dhe ai i Ekonomisë, kanë miratuar vetëm 200 mln lekë, pra më pak se gjysma.  “Në përfundim të diskutimeve për këtë institucion, Komisioni vendosi t’i propozojë komisionit përgjegjës miratimin e shtesave të përllogaritura në vlerën 100 milion lekë në zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për të përballuar numrin e plotë të punonjësve si dhe 100 milion lekë në zërin e investimeve, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re dhe urës lidhëse midis dy godinave”, thuhet në raportin e Komisionit të Ligjeve, i cili është pranuar nga Komisioni i Financave.

Ndërkohë PS është treguar më dorëlëshuar me Gjykatën Kushtetuese, e cila për hir të së vërtetës në shumë raste ka lënë në fuqi aktet e qeverisë. Kushtetuesja kërkoi 14.96 milionë lekë shtesë në zërin e shpenzimeve korrente, nga të cilat: • 9.96 milionë lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime për pagesat e 5 punonjësve shtesë në strukturë sipas vendimmarrjes nr.17/2023 të Mbledhjes së Gjyqtarëve ku është vendosur krijimi i Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve; • 5 milion lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime për organizimin e Konferencës së XX të Gjykatave Kushtetuese Europiane.

Por në fund, Kuvendi i ka dhënë 12 milionë lekë, nga të cilat: 7 milionë lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për paga dhe kontribute për përballimin e kostove shtesë të 5 punonjësve. 5 milion lekë shtesë në zërin e shpenzimeve për mallra dhe shërbime për organizimin e Konferencës së XX të Gjykatave Kushtetuese Europiane.

Po ashtu, Kuvendi dhe qeveria kanë përmbushur dhe orekset e shumë institucioneve të tjera. Më poshtë mund të shihni se si u ndanë fondet për institucionet. 

Ndryshimi i Buxhetit

Së pari, bëhen disa ndryshime në institucionet e sistemit të drejtësisë, në kuadër të reformës në drejtësi, si më poshtë:

1. Në Këshillin e Lartë Gjyqësor shtohen shpenzimet me 500 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzime personeli 100 milionë lekë, për të përballuar shtesën e miratuar prej 133 punonjësish;

-Shpenzime operative 197 milionë lekë për mirëmbajtje të sistemit të digjitalizimit të arkivave, skanime dhe rritje kapaciteti Hë” dhe “Mirëmbajtje e sistemit audio RDA në sallat e gjyqit dhe mirëmbajtje dhe suport teknik për Programn Backup Chain”, si dhe shpenzimeve të tjera operative për të plotësuar nevojat e stafit të shtuar;

-Shpenzime kapitale 203 milionë lekë për projektin ESB ( Enetrprice Service BUS).

2. Në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë shtohen shpenzimet me 26.7 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzime korrente 8.7 milionë lekë për sigurimin e logjistikës dhe përballimin e nevojave të tjera të institucionit;

-Shpenzime kapitale 18 milionë lekë për blerje pajisjesh kompjuterike.

3. Në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion shtohen shpenzimet me 200 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzime personeli 100 milionë lekë;

-Shpenzime kapitale 100 milionë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës.

4. Në Gjykatën Kushtetuese bëhen këto ndryshime:

-Shtohen 5 punonjës në organikë;

-Shtohen shpenzimet me 12 milionë lekë, nga të cilat 7 milionë lekë janë shpenzime personeli dhe 5 milionë lekë janë shpenzime operative për organizime konferencash.

5. Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit shtohen 4 punonjës, si dhe shtohen shpenzimet e personelit me 10.6 milionë lekë.

6. Për Institucionet e rivlerësimit në periudhën e tranzicionit (ish-KPK DHE KP), pranë Ministrisë së Drejtësisë shtohen 32 punonjës në organikë për 6 muaj, si dhe shtohen shpenzimet me 48.1 milionë lekë. Kjo shtesë propozohet për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë.

Për vitin 2025, për një periudhë jo më shumë se 6 muaj, për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik, një pjesë e numrit të punonjësve administrativë të këtyre institucioneve sipas vendimit të Kuvendit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe do të jenë pjesë e programit buxhetor të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor, të Ministrisë së Drejtësisë.

Së dyti, bëhen disa ndryshime për të mbështetur procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, si më poshtë:

1. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtohen shpenzimet me 190 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzimet operative 56 milionë lekë, të nevojshme për funksionimin e institucionit gjatë periudhës zgjedhore;

-Shpenzimet kapitale 134 milionë lekë, të nevojshme për financimin e sistemit të indeksimit, kërkimit dhe ruajtjes së pamjeve filmike, modulin e hartave të qendrave të votimit, modulin e-administrata etj;

2. Shtohen shpenzimet e fondit rezervë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 me 500 milionë lekë;

3. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave shtohet me 300 milionë lekë.

Së treti, bëhen ndryshime në projektbuxhetin e disa institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, për një funksionim më të mirë të tyre, si më poshtë:

1. Në projektbuxhetin e Kuvendit shtohen shpenzimet me 160 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzimet operative për mallra e shërbime shtohen me 110 milionë lekë për mirëmbajtje sistemesh elektronike, konferenca ndërkombëtare, pagesën e ekspertëve të jashtëm dhe shërbime të tjera për funksionimin e institucionit.

-Shpenzimet kapitale shtohen me 50 milionë lekë, në Programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi” për mbështetjen e sistemit të teknologjisë së informacionit.

Detajimi i shtesës së shpenzimeve të Kuvendit bëhet sipas tabelës bashkëlidhur.

3. Në Shërbimin Informativ Shtetëror shtohen shpenzimet operative me 50 milionë lekë për aktivitete të institucionit.

4. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar shtohen shpenzimet operative me 100 milionë lekë për mbështetjen e programeve “Shërbimi për shqiptarët jashtë kufirit dhe shërbimi në gjuhë të huaj”, prodhimet filmike ose veprimtaritë artistike mbarëkombëtare dhe Orkestrën Simfonike të RTSH.

5. Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare shtohen shpenzimet kapitale me 6 milionë lekë për ruajtjen dhe konservimin e arkivës së institucionit.

6. Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë shtohet 1 punonjës, si dhe shtohen shpenzimet e personelit me 1 milionë lekë për nevoja të funksionimit të institucionit.

7. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave shtohen shpenzimet operative 30 milionë lekë, si rezultat i shtesës së personelit për funksionet e reja të miratuara me ligj.

8. Në Kontrollin e Lartë të Shtetit shtohen shpenzimet operative me 10 milionë lekë për të mbuluar shpenzimet e 100-vjetorit të themelimit të institucionit.

9. Në Institutin e Statistikave bëhen këto ndryshime:

-Shtohen 6 punonjës në organikë;

-Shtohen shpenzimet me 60 milionë lekë, nga të cilat 10 milionë lekë janë shpenzime personeli dhe 50 milionë lekë janë shpenzime operative. Këto shtesa janë të nevojshme për zhvillimin e statistikave të turizmit, të cilat janë përfshirë në Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2025.

10. Në Shkollën e Magjistraturës bëhen këto ndryshime:

-Shtohet 1 punonjës në organikë;

-Shtohen shpenzimet me 6.1 milionë lekë, nga të cilat 1.6 milionë lekë janë shpenzime personeli dhe 4.5 milionë lekë janë shpenzime kapitale për blerje serverash.

14. Në Komisionerin e Prokurimit Publik shtohen shpenzimet me 8.8 milionë lekë, nga të cilat:

-Shpenzime korrente 3.8 milionë lekë për mirëmbajtjen e Sistemit të Ankesave Elektronike;

-Shpenzime kapitale 5 milionë lekë për mjedise pune e rikonstruksion zyrash.

15. Në Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi shtohen shpenzimet operative me 1 milionë lekë lekë për 1 ekspert të jashtëm.

16. Në Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shtohen shpenzimet kapitale 8 milionë lekë për digjitalizimin e Programit të Transparencës.

17. Në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit shtohen shpenzimet kapitale me 8 milionë lekë për ndërtimin e Platformës “Mësojmë nga e kaluara, burime arsimore të hapura 1944-1991”.

21. Në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare shtohen shpenzimet operative për subvencione me 100 milionë lekë, duke reflektuar rritjen e pagave në analogji me administratën publike.

Së katërti, bëhen disa ndryshime në projektbuxhetin e pushtetit vendor, si më poshtë:

1. Në tabelën 3 “Transferta e pakushtëzuar për bashkitë për vitin 2025”, në bashkitë e qarkut të Elbasanit dhe Gjirokastrës rishpërndahet transferta e pakushtëzuar për menaxhimin e mbetjeve urbane, në mënyrë që t'i përgjigjet numrit të popullsisë dhe trendit të numrit të turistëve në këto bashki. Këto ndryshime bëhen sipas tabelës bashkëlidhur.

2. Në tabelën 3 "Transferta e pakushtëzuar për bashkitë 2025", tranferta e pakushtëzuar sektoriale për menaxhimin e mbetjeve urbane për bashkitë e qarkut Korçë shtohet, në total, me 50 milionë lekë. Kjo shtesë detajohet ndërmjet bashkive sipas tabelës bashkëlidhur. Kjo shtesë reflektohet në ligjin e buxhetit të vitit 2025, tabelën 4 dhe në aneksin 8 "Për menaxhimin e mbetjeve urbane në njësitë e vetëqeverisjes vendore". /Pamfleti

Lini një Përgjigje