
Pas një seance maratonë në Kushtetuese për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjykata ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e ligjit.
Pas rreth 6 orëve seancë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e shtatë partive, të cilët ishin kundër listave të mbyllura.
Ankimimi i 7 partive, deputetit Lulzim Basha dhe tre të tjerëve të cilët bënë kërkesë për të shfuqizuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara në fund të korrikut nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u diskutua sot në Gjykatën Kushtetuese.
Ata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimeve që bënë duke mbyllur listën e kandidatëve për deputetë, në pjesën më të madhe të saj.
Partitë ankimuese ishin Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, organizata “Shqipëria Bëhet”, partia “Nisma Thurje”, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj, partia “Aleanca Demokracia e Re”, partia “Lëvizja Demokratike për Ndryshim” dhe partia “Kombëtare Konservat”.
Kërkesa e plotë: “ Shfuqizimi i neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i zbatimit të neneve 67 dhe 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenet 5 dhe 9 të ligjit nr. 81/2024. Interpretimi përfundimtar i nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimi i tij”.
Lini një Përgjigje