Opozita organizoi një protestë 3-orëshe pasditen e së shtunës kundër Qeverisë, ndërsa u regjistruan përplasje mes forcave policore dhe protestuesve, që nisën te godina e Kryeministrisë për t’u përmbyllur te selia e Kuvendit, atje ku zhvillohen seancat plenare.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë grupet e protestuesve, ndërsa u justifikua se kjo masë është proporcionale me gurët, çadrat, molotovët apo fishekzjarret që protestuesit hodhën kundër policëve të angazhuar në mbrojtje të godinave.
Përplasja më e fortë ishte pranë Parlamentit, atje ku nga policia u ndaluar disa protestues, madje pati edhe një tentativë që forcat e rendit të hynin edhe në selinë e PD-së.
Nga videot e publikuara, një autoboot që hedh ujin me presion dhe dhjetra forca policore kanë tentuar të hyjnë brenda rrethimit të godinës, por u ndalën nga një grup deputetësh.
Videot tregojnë se Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Tomor Alizoti, por edhe Albana Vokshi, janë përballur me policët, ndërsa mbështetës të opozitës iu bashkuan atyre duke detyruar policët që mbanin skafandra të tërhiqeshin.
Lini një Përgjigje