Gazetari dhe shkrimtari Peter Lucas ka bërë një artikull për Shqipërinë, duke u ndalur te vendimi i Ramës për të shpallur Jared Kushnerin si investitor strategjik. Lucas, një njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, shkruan se si Rama kapërdiu akuzat e dikurshme ndaj Trump. Sipas tij, Rama falë lidhjes me dhëndrin e presidentit të SHBA kërkon një tjetër mandat në zgjedhje.
Është bukur të njohësh një president, por akoma më bukur nëse ai është vjehrri jot.
Teksa pritej inaugurimi i Presidentit Donald Trump, qeveria shqiptare miratoi një projekt zhvillimor luksoz të ishullit të Sazanit. Një projekt prej 1.4 miliardë dollarësh, i lidhur me dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
Vendimi u vulos nga Komiteti i Investimeve Strategjike të vendit, i cili kontrollohet nga kryeministri socialist Edi Rama, 60 vjeç, dikur një kritik i ashpër i Trumpit, por tani ka ndryshuar mendim.
Një admirues i Hillary Clinton, Rama më 2016 tha se një fitore e Trump do të ishte një "katastrofë". Ai e quajti Trumpin “një amerikan të turpshëm në sytë e botës”.
Rama tha: “Zoti na ruajt nëse Amerika e zgjedh Donald Trumpin president”.
Kjo nuk do të thotë se projekti i Sazanit nuk do të kishte ecur përpara nëse Trump nuk do të ishte zgjedhur. Është vetëm për të vënë në dukje se sa më të lehta bëhen gjërat nëse ke pas vetes një president të SHBA dhe ke të bësh me një vend ku shumica e politikanëve kanë një çmim.
Kushner është partner në projekt me ‘Affinity Partners’, një kompani private me kapital 4.6 miliardë dollarësh në Arabinë Saudite. Ajo ka plane për një projekt hotelesh dhe apartamentesh pranë Vlorës, një zonë që është kritikuar për shkatërrimin e ekosistemit.
Ishulli i Sazanit u përdor si bazë ushtarake nga Italia gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mbetjet e fortifikimeve ushtarake janë të shumta. Për më tepër, qindra bunkerë betoni të vjetëruar, të ndërtuar gjatë sundimit të diktatorit paranojak komunist Enver Hoxha, janë aty. Ka ende municione të groposura nën tokë. Hoxha vdiq në vitin 1985.
Përveç kësaj, Bashkimi Sovjetik e përdori ishullin kur ishte në marrëdhënie miqësore me Shqipërinë. Pas prishjes së marrëdhënieve, sovjetikët braktisën një flotë nëndetësesh në një bazë pranë Vlorës. Ato përfundimisht u kalbën dhe u fundosën.
Projekti i zhvillimit të Sazanit, i cili kërkon krijimin e njëmijë vendeve të punës, do të jetë një ndihmë për Shqipërinë dhe ekonominë e saj si dhe për Ramën, i cili përballet me konkurrencë të ashpër teksa kërkon rizgjedhjen në maj. Por ky projekt përfaqëson një humbje për ambientalistët.
Rama rivalizohet nga Sali Berisha, 80 vjeç, një ish-president dhe kryeministër, i cili po kërkon një rikthim. Ai u godit nga administrata Biden, e cila kërkoi ta burgoste.
Edi Rama, me mbështetjen e administratës së Bidenit, e ka përndjekur Berishën siç bëri Joe Biden me Trump, duke kërkuar ta shkatërrojë atë si kundërshtar.
Ai e akuzoi Berishën për korrupsion politik, e nxori jashtë Parlamentit dhe e vendosi në arrest shtëpie. Ai së fundmi është liruar dhe kandidon përballë Ramës.
Ndryshe nga protokolli, Ambasadori Amerikan i emëruar nga Biden bëri fushatë për Ramën në zgjedhjet e fundit dhe Sekretari i Shtetit i atëhershëm amerikan, Antony Blinken, e shpalli Berishën “persona non grata” mbi akuzat e paparalajmëruara për korrupsion të bëra tetë vjet pasi Berisha u largua nga detyra.
Berisha pohon se Blinken e sanksionoi për shkak të kritikave të tij të gjata ndaj George Soros, i cili kërkoi t'i bënte sistemit të drejtësisë shqiptare, atë që i ka bërë sistemit të drejtësisë penale në SHBA.
Familja Blinken ka lidhje të ngushta me miliarderin George Soros, i cili së fundmi u nderua me Medaljen e Lirisë nga Biden.
Në çdo rast, projekti do të vazhdojë dhe Rama, si shumë të tjerë, është tërhequr nga kritikat ndaj Trump. Në Nju Jork së fundmi, kryeministri tha se ai nuk e sulmoi personalisht Donald Trumpin. "Unë nuk sulmova presidentin, por kandidatin", tha ai. Por çfarë do të thotë kjo?
Edhe para fitores së Trump, Rama u takua me Kushnerin dhe bashkëshorten e tij Ivanka për të folur për projektin e zhvillimit të Sazanit dhe për t'i dhënë bekimin e tij.
Më e rëndësishmja, ajo ka dhe bekimin e Presidentit Trump.
Në këmbim, ekziston mundësia që si shpagim Trump të ndihmojë Shqipërinë të futet në Bashkimin Evropian, diçka që ajo është përpjekur ta bëjë prej vitesh.
Është e mahnitshme se çfarë mund të ndodhë kur ka para për të fituar. /Përshtati “Pamfleti” nga “Boston Herald”
Shënim: Peter Lucas është gazetar veteran i politikës, ai ka punuar për “Boston Globe”, për “Boston Herald” dhe për “Lowell Sun”. Lucas është autor i pesë librave, tre prej të cilëve janë përkthyer në gjuhën shqipe. Tre librat e Peter Lucas botuar në gjuhën shqipe janë,” Rrumpalla-Rrëmimi në të gjithë Shqipërinë”, “OSS-të në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore” dhe “Cezari i Ballkanit”. Në vitin 1986 Lucas ishte i pari gazetar amerikan që u lejua të vinte në Shqipërinë komuniste. Pas vizitës së parë në Shqipëri, shkroi një seri me dhjetë pjesë për “Boston Herald”, shkrime që tërhoqën vëmendjen kombëtare e ndërkombëtare për shkak së Shqipëria ishte e panjohur për të gjithë botën.
Lini një Përgjigje