
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për përpjekje për të manipuluar votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Tabaku deklaroi se qeveria po përdor ambasadat dhe databazat e tyre për të kontrolluar votën e shqiptarëve jashtë vendit. “Përdorimi i ambasadave po ndodh, dhe grupi parlamentar i PD ka bërë një kallëzim në SPAK për këtë. Shpresoj që ky kallëzim të ecë përpara”, u shpreh ajo.
Ajo ngriti shqetësimin për ministrat që, sipas saj, përdorin kartat e identitetit të emigrantëve për të plotësuar portalin e KQZ-së, duke e quajtur këtë veprim një shkelje të rëndë të procesit zgjedhor dhe të të drejtave të votuesve.
Tabaku rikujtoi se, ndonëse është miratuar një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale, praktikat e manipulimit të këtyre të dhënave vazhdojnë. “Në vitin 2021 u ekspozua si funksionon përdorimi i të dhënave personale në zgjedhje. Kjo është minimale krahasuar me atë që po ndodh sot”, tha ajo gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, duke vendosur në pikëpyetje transparencën dhe ndershmërinë e procesit.
Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrje nga institucionet përkatëse për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të pacenueshëm, veçanërisht për votën e diasporës. Përmes kallëzimit në SPAK dhe denoncimeve publike, opozita synon të kundërshtojë çdo tentativë për manipulim zgjedhor nga ana e qeverisë.
Lini një Përgjigje