
Kryeministri Edi Rama shpalli sot “Shtetin Bektashi” gjatë një aktiviteti ku u përkujtua 95-vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.
Ai tha se Selisë së Kryegjyshatës Botërore do t’i jepet një Status i ngjashëm me atë të Vatikanit. Rama deklaroi se Shtetit Bektashi nuk do të përçajë askënd, nuk do të kërcënojë askënd dhe as nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë.
Ai shtoi se edhe Italia i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla. Teksa mbrojti edhe një herë idenë e krijimit të shtetit Bektashi, kryeministri u shpreh se çdo shqiptar do të binte dakord me këtë, ndërsa shtoi se "të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin".
Rama deklaroi gjithashtu se kmunitetet e tjera fetare nuk kanë asnjë arsye që të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë, pasi sipas tij është status i merituar i në komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri.
"Historia e bektashinjve është thirrja imponuese për ti dhënë selisë së kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, nuk do të vendosë në diskutim sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë se çfarë nuk dëgjon njeri nga shqipet dhe shqipot kur u shkon mendja të bëjnë ndonjë gjë të re apo të bëjnë ndonjë punë, që të tjerët se kanë bërë.
Jo, Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal. Edhe Italia i ka nja 3 realitete brenda saj me statuse të tilla. Komunitetet e tjera fetare nuk kanë asnjë arsye që të shqetësohen nga ky trajtim i veçantë, se nuk është trajtim i veçantë i një komuniteti fetar në vetvete, por trajtimi i merituar i në komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri.
Të tjerët do ta kishin shpikur edhe sikur të mos e kishin. Ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë. Një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë si shembull i respektit të asaj harmonie aq shumë të bekuar dhe kërkuar sot në mbarë botën që Papa Françesku kur erdhi këtu e pagëzoi si shembullin e një vëllazërie fetare në mbarë botën", tha Rama.
Lini një Përgjigje