TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Mars 2025, 10:10

Përzuri ‘besnikët’ e Veliajt dhe emëroi ‘njeriun e tij’, Rama: I kam mbyllur punët në Bashkinë e Tiranës, s’jam unë kryetari!

Shkruar nga Pamfleti

Përzuri ‘besnikët’ e Veliajt dhe emëroi

Mesa duket, me rivendosjen e të dërguarës së tij, Anuela Ristani në krye të Bashkisë së Tiranës dhe shkarkimit të besnikëve të Veliajt, Rama duket se ka gjetur qetësi.

Pas “rrëmujës” që ndodhi në Bashkinë e Tiranës pak ditë me parë me emërimin e të deleguarës së kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen lidhur me këtë çështje.

Duke iu përgjigjur komenteve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale në rubrikën “Sy më Sy”, Rama theksoi se punët në Bashkinë e Tiranës i ka mbyllur që në vitin 2011, kur i mbaroi mandati i kryebashkiakut.

“Shiko se ke disa punë në bashki”, ishte komenti i një ndjekëseje.

Unë punët në bashki i kam mbyllur në 2011, nuk jam kryetar i bashkisë së Tiranës”, u përgjigj Rama.

Mesa duket, me rivendosjen e të dërguarës së tij, Anuela Ristani në krye të Bashkisë së Tiranës dhe shkarkimit të besnikëve të Veliajt, Rama duket se ka gjetur qetësi. Beteja për të shtënë në dorë bashkinë më të madhe në vend para zgjedhjeve të 11 majit duket se ka përfunduar për Ramën. Gjithashtu, kjo është ndoshta edhe një shenjë se do e shohim më rrallë kryeministrin nëpër dyert e Bashkisë së Tiranës

Po ashtu i pyetur lidhur me drejtësinë, kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo çfarë po ndodh sot me zyrtarët e mazhorancës është produkt i Partisë Socialiste, e cila është mbështetësja më e madhe e reformës në drejtësi dhe pavarësisë së institucioneve të reja të drejtësisë.

Altin Dumanin nuk e solla as unë e as PS-ja, Altin Dumani ishte këtu mes nesh, ishte një prokuror i ndershëm dhe i guximshëm”, tha Rama, duke vijuar me ndryshimin e kursit 180 gradë nga ai i pak javëve më parë kur qante me “lot krokodili” sa për “show” ndaj arrestimit të Veliajt.

Rama u shpreh se opozita, e gjitha, ishte kundër vettingut duke përdorur edhe kërcënimet me bojkot të zgjedhjeve apo zbritjes me çadra në shesh vetëm që të mos votohej reforma.

Ata janë penguesit dhe armiqtë e reformës në drejtësi. Janë ata që morën peng për një periudhë kohe dhe erdhën me çadër në bulevard për të mos votuar vettingun dhe kërcënuan me bojkot të zgjedhjeve. Të gjithë bashkë.

Ishte Luli në krye por Luli ishte kukulla e bufit të kënetës, ndërsa bufi e thotë shumë qartë sot se me votën e 11 majit do të shkrijë SPAK. Ky është kërcënimi real që është sot por mund të jetë edhe më vonë nëse nuk hyjmë në BE. Në momentin që hyjmë e bëhemi pjesë e BE, është pa diskutim e vetmja rrugë e jonë, kurorëzimi i një historie të gjatë luftërash poshtërimesh, rrëzimesh që kemi në dorë në 11 maj që ta realizojmë”, tha ai.

Lini një Përgjigje