Kreu i "Nismës Thurje", Endri Shabani ka zbuluar prapaskenat e krizës së thellë që ka përfshirë këtë formacion politik të ri, përfshirë një audio kërcënuese dhe përplasje të forta me Adriatik Lapajn.
Shabani konfirmoi se është kërcënuar me jetë nga persona të afërt me z. Lapaj, për shkak të mosdorëheqjes së dajës së tij, Zeqir Kordhoni, nga lista e mbyllur.
Sipas tij, lista e mbyllur u mbush me të afërm të kandidatëve me marrëveshjen që këta do të jepnin dorëheqje pas zgjedhjeve, për të favorizuar renditjen sipas votave të listës së hapur. Por mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje ka sjellë përçarje të thellë brenda koalicionit.
“Kërcënimi ishte pika që derdhi gotën. Por ka pasur presione të vazhdueshme, që janë thelbi i konfliktit. Ajo që kemi parë është një tendencë autoritare dhe përvetësuese, si edhe mungesë përgjegjësie nga ata që kanë drejtuar koalicionin. Kjo nuk është ajo që presim nga partitë e reja.”, tha Shabani, duke shtuar se janë bërë kallëzime dhe pret që drejtësia të ndërhyjë.
“Kjo çështje nuk është bërë ende objekt i drejtësisë. Dosja është gati dhe personat e kërcënuar kanë të drejtën e tyre ta çojnë në SPAK, sepse bëhet fjalë për një krim zgjedhor. Personalisht, nuk do të dëshiroja ta çoja këtë çështje në dyert e drejtësisë, por nuk mund t’i pengoj ata që janë kërcënuar ta bëjnë një gjë të tillë.”
Përballë akuzave se po bën lojën e Partisë Socialiste, Shabani u shpreh prerë që nuk ka lidhje me Edi Ramën.
“Nuk ka njeri më të promovuar nga Edi Rama, sesa Adriatik Lapaj. Që nga viti 2000, Rama nuk ka dalë në debat publik, me askënd përveç Adriatik Lapajt. Kjo tregon qartë se kush promovohet nga Rama dhe kush e ka luftuar këtë qeveri.”, tha ai për "Dritare TV".
Lini një Përgjigje