Gazeta italiane “La Verità” zbardh lidhjen mes hetimeve për korrupsion në Milano dhe projekteve të mikut të Ramës në Tiranë...
Një ndër emrat më të njohur të urbanistikës moderne italiane, arkitekti Stefano Boeri, është tashmë në qendër të një debati të nxehtë publik dhe juridik që po trondit administratën komunale të Milanos, por siç zbulon gazeta La Verità, ky “model” është eksportuar dhe vendosur me të njëjtën shpejtësi edhe në Tiranë.
Në një artikull të publikuar më 22 korrik 2025, La Verità shkruan se në Shqipëri është zbatuar e njëjta skemë që ka ndezur alarmin në Itali, një rritje e frikshme e çmimeve të ndërtimit, ndërtesa luksoze nën petkun e ekologjisë urbane dhe një sistem i dyshimtë marrëdhëniesh mes biznesit, politikës dhe institucioneve që heshtin.
Në qendër të kësaj skeme, si në Milano ashtu dhe në Tiranë, qëndron projekti i Pyllit Vertikal, një ndërtesë 21-katëshe e markës “Tirana Vertical Forest”, e përfshirë në planin rregullues të njohur si Tirana 2030. Ajo është paraqitur si një simbol i qytetarisë së gjelbër dhe i luftës ndaj ndotjes, por realisht çmimi për metër katror ka arritur deri në 5.500 euro, shifër identike me zonat më të shtrenjta të Milanos, aty ku Prokuroria tashmë ka hapur hetim penal, thuhet në artikull.
La Verità nuk i kursen as referencat: “Boeri ka betonizuar Milanon e PD, Tiranën e Rilindjes dhe Kinën... mungon vetëm Kuba”, ironizon artikulli, duke lënë të kuptohet për një rrjet të globalizuar klientelizmi të majtë, që shfrytëzon projektet urbane si instrument për të kanalizuar para publike në duar të pakta. (Projekt i Boerit është realizuar edhe në Shangai dhe Huangshi, në bashkëpunim me autoritetet kineze).
Ndërkohë në Itali, hetimet ndaj projektit të Boerit janë përqendruar në lidhjet e dyshimta mes studios arkitekturore dhe zyrtarëve të bashkisë së Milanos. Dyshimet janë të forta se një pjesë e tenderëve, lejeve dhe procedurave urbane janë përdorur për të maskuar interesa të ngushta financiare, ndërsa Prokuroria italiane është duke hetuar prej më shumë se 2 vitesh një skemë të gjerë korrupsioni dhe pastrimi parash.
Në Tiranë, ndryshe nga Italia, hetimet nuk ekzistojnë. Përkundrazi, ndërtimi i kullave dhe projekteve me kosto marramendëse vazhdon pa asnjë ndalesë, me miratimin e autoriteteve dhe heshtjen e institucioneve të drejtësisë.
Gazeta citon një emision televiziv në Shqipëri, ku ka folur gazetarja Alba Kepi. “Diferenca thelbësore mes Milanos dhe Tiranës qëndron tek fakti që në Itali hetimet nisin nga Prokuroria, e cila po ndjek këtë çështje prej mbi dy ose tre vitesh, që nga dyshimet e para. Në Tiranë, më tej, ka vetëm këshilltarë bashkiakë dhe opozitë që ngrenë shqetësime dhe bëjnë denoncime, pa asnjë përgjigje institucionale nga organet e drejtësisë”, deklaroi ajo.
Sipas Kepit, pas fenomenit ndërtimor “glam” në Tiranë fshihet i njëjti lloj modus operandi, pra një sistem favoritizimesh: “nuk është vetëm një krim urbanistik, por edhe një sistem pastrimi parash që zhvillohet hapur, nën sytë e të gjithë qytetarëve, politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare në Tiranë, pa asnjë reagim nga drejtësia”, vijon gazeta italiane.
Në fund të fundit, pyetja që shtron La Verità mbetet një dilemë e fortë edhe për opinionin shqiptar:
A është ky një projekt arkitektonik e mjedisor, apo një diversifikim i kamufluar i pasurive post-komuniste? /Punoi “Pamfleti”
Lini një Përgjigje