
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas valës së dorëheqjeve të kryetarëve të njësive administrative dhe nënkryetarëve të bashkive, pas ultimatumeve të dhëna nga kryeministri Edi Rama. Ajo e cilëson këtë veprim si një ndërhyrje të paprecedentë në pushtetin vendor, duke paralajmëruar pasoja serioze për funksionimin e demokracisë lokale.
“Bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të Partisë Socialiste apo të ndonjë ministrie”, shprehet Tabaku në Facebook. Ajo kritikon ashpër përfshirjen e ministrave në “intervistimin” e stafeve lokale, duke e quajtur këtë proces një shkelje flagrante të parimeve të ndarjes së pushteteve. Sipas saj, përfaqësuesit lokalë janë të zgjedhur me votën e qytetarëve dhe nuk mund të zëvendësohen sipas dëshirës së qeverisë qendrore.
Tabaku paralajmëron se kjo sjellje e qeverisë rrezikon të minojë rëndë themelet e demokracisë në vend, duke kthyer pushtetin vendor në një zgjatim të ekzekutivit, dhe jo në një mekanizëm të pavarur që shërben qytetarët. Reagimi i saj vjen në një kohë kur Rama ka nisur një “pastrim” të strukturave lokale, nën justifikimin e rritjes së efikasitetit, por që opozita e sheh si manovër për kapjen totale të territorit.
Lini një Përgjigje