TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2025, 13:38

Akuza zyrtare ndaj Erion Veliajt: axhenda e Edi Ramës për të shkarkuar kryebashkiakun

Shkruar nga Pamfleti
Akuza zyrtare ndaj Erion Veliajt: axhenda e Edi Ramës për të
Edi Rama dhe Erion Veliaj /

Pa prova e në shkelje të afateve, Veliaj shpallet i pandehur vetëm për të justifikuar shkarkimin e tij politik. Prokuroria, në vend të hetimeve, plotëson shkresat e Edi Ramës për të komanduar Bashkinë e Tiranës dhe përgatitur zgjedhjet…

 SPAK e ka shpallur Erion Veliajn të pandehur, pa arritur ende të sigurojë provat për akuzat që i ngarkohen. Ndërkohë që afati zyrtar për hetimet skadon më 10 gusht, dhe siç ndodhi edhe në rastin e Ilir Metës, Prokuroria Speciale mund të shpallë zgjatjen e këtij afati me gjashtë muaj të tjerë, kjo gjë nuk është bërë për rastin e kryebashkiakut të Tiranës. E gjithë kjo ngutje për ta finalizuar formalisht akuzën, pa kaluar në fazën e sigurimit të provave, duket se synon vetëm plotësimin e axhendës politike të Edi Ramës. Me formulimin zyrtar të akuzës, Ramës i hapet rruga për ta larguar Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Sipas burimeve, sapo SPAK të komunikojë akuzën, një përfaqësues i Kryeministrisë do t’i kërkojë Veliajt të dorëhiqet. Nëse ai refuzon, Rama ka vendosur ta shkarkojë me argumentin formal të shpalljes si person i pandehur. Në këtë mënyrë, Prokuroria Speciale nuk po sillet si një institucion i pavarur hetimor, por si një zyrë ndihmëse për planet administrative të kryeministrit. Siç rezulton nga dokumentacioni i deritanishëm i dosjes, hetimet ende nuk kanë prodhuar prova konkrete për të justifikuar ngritjen e një akuze zyrtare, kemi vetëm indicie dhe dyshime, që duhen hetuar më tej në mënyrë objektive.

Pavarësisht kësaj, organi i akuzës nuk po ndjek një linjë të pavarur dhe ligjore, por është vënë në shërbim të një kalendari politik. Prokuroria, e cila duhet të veprojë si pushtet i ndarë dhe i pavarur, po trajtohet si sekretaria juridike e Këshillit të Ministrave. Veliaj, si individ nën hetim, është një çështje më vete nga Veliaj si kryebashkiak i zgjedhur me tre mandate nga qytetarët. Çështja, nëse ndjek rregullin kushtetues, duhet të trajtohet nga Këshilli Bashkiak dhe jo të imponohet nga një vendim politik i parapërgatitur.

Kryeministri ka paralajmëruar më herët shkarkimin masiv të stafit të Bashkisë Tiranë, për të marrë kontroll të plotë mbi institucionin. Ky akt bie në kundërshtim të qartë me Kushtetutën dhe shumë gjasë do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. SPAK në këtë rast nuk po funksionon më si organ drejtësie, por si ndihmës për një vendim të gatshëm politik, me qëllim kontrollin e katër bashkive: Tiranë, Berat, Mat dhe Tepelenë.

Rama po përgatit një fushatë kombëtare për zgjedhjet vendore të pjesshme, në funksion të projektit për zgjedhjet e vitit 2027. Veliaj nuk i duhet më si bashkëpunëtor, por si shembull ndëshkimi për të frenuar zërat kritikë brenda Partisë Socialiste dhe për të “ushqyer” drejtësinë me raste të selektuara sipas kutit të Kryeministrit.

Kjo nxitim tregon frikën që ka Rama për një hetim të pavarur që mund të dalë jashtë kontrollit të tij. Ai nuk kërkon që drejtësia të vendosë të vërtetën, por të përdoret si mjet goditjeje ndaj të ashtuquajturve “armiq të brendshëm”. Në vend të një procesi të drejtë dhe të pavarur, kemi një inskenim për interesa të qarta politike./Pamfleti

akuza zyrtare ndaj erion veliajt axhenda e edi ramës për të shkarkuar kryebashkiakun

Lini një Përgjigje