Një debat i ashpër ka shpërthyer sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me firmat për kandidatë për Avokatin e ri të Popullit, mes deputetit demokrat Saimir Korreshi dhe deputetes socialiste Zegjine Çaushi.
Debati nisi kur Korreshi iu drejtua Çaushit me tone ironike, duke i thënë se mund t’i siguronte “një firmë apo edhe një vulë”.
“Po deshe ti edhe një firmë, të rregullon byrazeri. Po deshe ndonjë firmë që të ka ngelur merak, edhe vulë”, u shpreh Korreshi.
Reagimi i deputetes socialiste ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Çaushi e akuzoi demokratin se merr vendime natën dhe më pas kërkon t’i tërheqë ato në mëngjes.
“Unë nuk kam nevojë as për firmë as për vulën tuaj, se fatin tim e kanë vendosur njerëz të tjerë. Ju kujtoheni në orën 12 të natës, shihni ndonjë ëndërr dhe vini këtu në mëngjes dhe i tërhiqni ato që keni bërë”, u përgjigj ajo.
Pjesë nga debati
Gent Strazimiri: Ne nuk kemi propozuar asnjë kandidat.
Zegjine Çaushi: Edhe me vulë.
Saimir Korreshi: Po deshe ti edhe një firmë, të rregullon byrazeri. Po deshe ndonjë firmë që të ka ngelur merak, edhe vulë.
Zegjine Çaushi: Mua merak?
Saimir Korreshi: Mos ke ndonjë merak, edhe me vulë, edhe me firmë, vët vët.
Zegjine Çaushi: Unë nuk kam nevojë as për firmë as për vulën tuaj, se fatin tim e kanë vendosur njerëz të tjerë. Ju kujtoheni në orën 12 të natës, shihni ndonjë ëndërr dhe vini këtu në mëngjes dhe i tërhiqni ato që keni bërë.
Saimir Korreshi: Unë zakonisht ëndrrat i shoh me gjellë pasanikësh dhe ndonjë gjë tjetër, por jo me firma.
Arjan Ndoja: Nga ana morale kjo nuk është as burrërore, as etike (tërheqja nga firmat). Por juridikisht bie mbështetja kur tërhiqet firma
Lini një Përgjigje