TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Dhjetor 2025, 10:48

Presion ndaj Kushtetueses? Rama u përgjigjet gjyqtarëve: Kam 1 milionë vota, s’mund të goditet pavarësia nga një prokuror

Shkruar nga Pamfleti

Presion ndaj Kushtetueses? Rama u përgjigjet gjyqtarëve: Kam 1

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një reagim në rrjetet sociale pretendimeve të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilës kreu i qeverisë po ushtron presion politik ndaj gjyqësorit.

Në reagimin e tij, Rama shkruan se ose kjo shoqatë nuk e di kuptimin e fjalës presion, ose e dinë se kur ankohen për Kryeministrin nuk i hyn gjëmbë në këmbë.

“Shoqata e Gjyqtarëve gabon shumë nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore”, shkruan Kryeministri.

Reagimi i Kryeministrit

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paska bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta - madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë reale të shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh - po po, 1600 Euro plus pagës aktuale - të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.

rama kushtetuese gjyqtare

3 Komente

  1. S
    Shabani

    Gjyqtar dhe prokuror, e dinë se kurrë nuk ju hyn gjëmb në këmbë. Me injorancën e tyre të trashëguar nga koha e plepave, po e çmendin këtë popull. Bëjnë sikur kanë frikë të vjedhin por vazhdojnë avazin. Rrogat i kanë të majme sa 50 policë së bashku mer një gjyqtar. Dhe tallin bythën me popullin dhe institucionet

    1. b
      besi

      Dhe 1 miliard vota te kesh, vjedhja grabitja abuzimi trafiku droges, shitblerja votes, shitja apo dhurimi pasurive publike, denohet.

      1. F
        Feti Dema

        Gjykata Kushtetuese është para një sprove të jashtëzakonshme. Nëse do pezullohet Z/v Kryeministria Belinda Balluku , çdo ndodhte nëse SPAK, GJKKO dhe GJ.L do vendoste të pezullonte Kryeministrin? Por, arsyetimin mund ta nisim edhe ndryshe. Po sikur ndonjëri nga Kryeministrat në detyrë do vepronte njëjtë si Ahmet Zogu dhe do falte teritore si shpërblim për mbështetje politike , si do vepronte SPAK,GJKKO dhe Gjykata e Lartë? A ka preçedentë ? Psh. Gjadri. Psh.porti i Durrësit. A do lejojë Gjykata Kushtetuese që: "miu ta bëjë rrugë duke kaluar një herë mbi mustaqe?

        Lini një Përgjigje