TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Dhjetor 2025, 12:43

Berisha tërheq firmat, PS dërgon për votim 6 kandidatët për Avokatin e Popullit

Shkruar nga Pamfleti

Mazhoranca ka kaluar me 9 vota pro 6 emrat në garë për kreun e ardhshëm të Avokatit të Popullit.Emrat do të votohen të enjten në Kuvend në seancën plenare.

Berisha tërheq firmat, PS dërgon për votim 6 kandidatët
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja 

Komisioni i Ligjeve ka miratuar me 9 vota pro dhe 3 kundër një raport për t’i dërguar seancës plenare ku përfshihen gjashtë kandidatët që plotësojnë kriteret për t’u votuar për Avokat të Popullit.

Gjatë seancës së sotme, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka lexuar emrat e të gjithë kandidatëve që kanë siguruar firmat e deputetëve.

Ndërkohë që në këtë moment ka hasur kundërshtim nga deputeti demokrat Gent Strazimiri, për shkak se PD-ja ka tërhequr firmat për të gjithë kandidatët në garë. 

"Të përfshihet në relacion fakti që deputetët e opozitës nuk mbështesin asnjë kandidat dhe interpretimi i ligjit është i gabuar. Ti thuash deputetëve jeni tërhequr pas afatit, është debilllëk. E heqim mbështetjen edhe gjatë votimit, edhe një sekondë para votimit.
Keni vendosur me votë që deputeti ka afat aq sa ka edhe kandidati.", tha Strazimiri.

Por kjo deklaratë u hodh poshtë nga Manja.

"Kujdes Strazimiri, unë nuk gënjej. Ju gënjyet 6 kandidatë, u dhatë firmat dhe u tërhoqët.", replikoi Manja.

Por pas debateve mazhoranca ka kaluar me 9 vota pro 6 emrat në garë për kreun e ardhshëm të Avokatit të Popullit.

Emrat do të votohen të enjten në Kuvend në seancën plenare.

Kandidatët që kanë marrë të paktën 28 firma:

-Adriana Kalaja 44 firma
-Aranita Braho 35firma
-Besim Ndregjoni 34 firma
-Endrit Shabani 35 firma
-Skender Haluci 30 firma
-Tartar Bazaj 28 firma

Ndërkohë Jola Hysaj, avokati Saimir Vishaj dhe Shkëlqim Sulo janë përjashtuar pasi nuk kanë siguruar firmat e mjaftueshme (28 firma) ndërsa Dardan Mustafaj ka paraqitur kandidaturën jashtë afatit të përcaktuar.

Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është në ngërç pasi Partia Demokratike tërhoqi firmat një ditë pasi u shpallën kandidaturat. Ndërkohë Partia Socialiste nuk e njeh këtë akt me argumentin se tërheqja e firmave është bërë jashtë afati.

PD njoftoi papritur tërheqjen e firmave me argumentin se nënshkrimet janë dhënë para se kandidatët të kalonin filtrin e Komisionit të Ligjeve. Këtë argument, PD e mbështet në një shkresë që kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i ka dërguar më datë 17 nëntor, ku thuhet se një deputet nuk mund të firmosë me shumë se për një kandidat.

Për këtë çështje ka pasur dhe përplasje në komision, ndërsa Ulsi Manja tha se në dijeni për tërheqjen e firmave është vendosur kryetari i Kuvendit dhe jo komisioni, i cili është përgjegjës vetëm për mbylljen e procedurës.

ulsi manja  avokati i popullit

2 Komente

  1. F
    Feti Dema

    PD -PS kanë rënë në ujdi se kush do votohet. Këto lodrat me tërheqje firmash, janë justifikim para atyre që nuk do zgjidhen.

    1. E
      Enkeleda Mushi

      Ky eshte nje turp i atyre deputeteve te PD qe kane mbeshtetur Indrit Shabanin!Turp i PD qe po luan ma kandidatet!Nese kjo eshte nje loje kuptohet por nese deputetet kane firmosur ne koke te vet athere te tregohet kush jane dhe te mblidhet urgjent Kryesia per te marre provedimente ose te pranohet pastaj qe “puna e komisarit ishte lojaaaaaa”????

      Lini një Përgjigje