
Kryeministri Rama ka reaguar pas përmbytjeve që shkaktoi 14 viktima në Greqi dhe kanë lënë pas dëme të mëdha. Rama shprehu ngushëllime familjarëve të personave që humbën jetën nga kjo fatkeqësi natyrore.
Gjithashtu, Rama kë bërë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët ndodhen në zonat e prekura.
Kreu i qeverisë tha se ata mund kontaktojnë me Njësinë për Menaxhimin e Emergjencave Civile të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë, në numrin e aktivizuar të telefonit 112, i cili është vënë në dispozicion të shtetasve që kanë nevojë për ndihmë.
Po ashtu, Rama thekson se qytetarët shqiptarë mund të kontaktojnë edhe Ambasadën tonë në Athinë përmes numrit të emergjencës 00030-6941658183 në dispozicion të qytetarëve 24/7 dhe në adresën e email-it.
"Përmbytjet e mëdha shkatërruese në shumë rajone të Greqisë kanë shkaktuar humbje jetësh dhe dëme të mëdha. Keqardhje e madhe për jetët e humbura, ngushëllime vëllazërore familjeve të tyre dhe solidaritet i megjithëzemërt me të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme natyrore.
Ambasada jonë në Athinë njofton se qytetarët që ndodhen në zonat e prekura, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me Njësinë për Menaxhimin e Emergjencave Civile të Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë, në numrin e aktivizuar të telefonit, i cili është vënë në dispozicion të shtetasve që kanë nevojë për ndihmë.
Gjithashtu, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur nga përmbytjet në zonat problematike të Greqisë se për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës sonë përmes numrit të emergjencës 00030-6941658183, në dispozicion të qytetarëve dhe në adresën e email-it [email protected]", shkruan Rama në Facebook.
Kujtojmë se numri i viktimave nga përmbytjet shkatërruese që kanë goditur Greqinë, ka shkuar në 14.
Mediat vendase raportojnë se një burrë dhe nëna e tij që ishin shpallur të zhdukur, janë gjetur të vdekur në zonën e Metamorfosit, në Kardicë.
Mëngjesin e sotëm u gjet edhe një 58-vjeçar i zhdukur nga Agios Dimitrios. Burri figuronte si i zhdukur që prej ditës së djeshme, më 9 shtator. Ai u gjet sot nga një dron midis zonave të Agios Dimitrios dhe Petrino. Ditën e djeshme në zonën detare të Turkonerit në Evia u gjet trupi i një burri, i cili u identifikua si një 77-vjeçar i zhdukur për shkak të motit të keq nga zona e Paltsit të Pelionit.
Gjithsej janë shpëtuar dhe evakuuar 4250 persona. Niveli i ujit në disa prej zonave të prekura të Thesalisë po tërhiqet dalëngadalë, duke zbuluar fatkeqësitë që la pas moti i keq “Danieli”. Qytetet dhe fshatrat mbeten nën tonelata ujë dhe baltë, rrjeti rrugor në shumë vende është shembur, urat janë ndarë në dysh, shtëpitë janë rrëzuar dhe fusha Thesalian është kthyer në një liqen gjigant, ku mijëra qytetarë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre.
Lini një Përgjigje