Rreth 300 punonjës policie ndërhynë dhunshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për heqjen e dy çadrave të vendosur nga aktivistët e “Shqipëria Bëhet”, që sot thirrën një protestë kundër qeverisë Rama.
Brenda pak minutash, policia arriti të shkulë çadrat e improvizuara, të thyejë disa karrige plastike si dhe të dëmtojë ngrohëset e gazit, që për më shumë se 3 javë përdoreshin nga aktivistët, që protestonin gjatë natës para zyrës së Edi Ramës.

Nga raportimet dhe denoncimet e aktivistëve, mësohet se policia ka shoqëruar edhe persona të mitur, ndërsa nuk ka kursyer dhunën ndaj të moshuarve, që ishin në protestën e thirrur nga Lapaj.
Përplasja me policinë u shoqërua edhe me lëndime fizike për disa prej protestuesve, mes tyre edhe kreun e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Megjithatë, Lapaj bëri thirrje për mbështetësit që të sillnin sërish sende si karrige dhe çadra për të vijuar rezistencën, ndërsa njoftoi edhe një tjetër protestë pas dy javësh më herët.

Nga pamjet e publikuara duket se një protestues ka mbetur i lënduar në trotuarin e bulevardit, pranë shkallëve të Kryeministrisë.


Lini një Përgjigje