TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Mars 2024, 16:52

Përleshja e panevojshme në Shkodër për atavizmat otomanë

Shkruar nga Pamfleti
Përleshja e panevojshme në Shkodër për atavizmat
Shkodra /

Nuk ka sens të luash me një djep të civilizimit ilirik e evropian...

Ekziston një fenomen krejt i pabukur, që po vihet re prej kohësh në mjediset e Shkodrës. Shpallja nga zëra publikë (media, përfaqësues të klerit apo edhe aktivistë) të atavizmave të vjetër osmanë, ka ngjallur një “debat”, ose një përleshje krejt të panatyrshme.

Nëse ky do të ishte një fenomen që del nga zona apo individë që nuk se kanë rëndësi apo janë margjinal, kjo nuk do të kishte shumë problem. Pasi do të ekzistojnë gjithmonë basifonde fanatizmi e ekstremizmi.

Por ajo që po vihet re është se edhe disa media lokale, po kthehen në ngarkesa të një debati toksik që për Shkodrën, jo vetëm është i huaj, por është edhe shumë i dëmshëm.

Dhe po ta ndjekësh me vëmendje, nuk duket si një gjest apo fenomen spontan, por si një strategji e mirëmenduar, për ta provokuar vendin më të lakmuar të tolerancës fetare, në një mejdan përplasjesh pa asnjë lidhje.

Ka pak kohë, kur në mënyrën më të pakuptueshme, suksesi i Vllaznisë, u tejçua mediatikisht si një metaforë osmane. Duke marrë si shkas mbiemrat e dy drejtuesve të Vllaznisë: trajnerit tetovar Qatip Osmani dhe drejtorit korçar të klubit Tefik Osmani. Nëse do të ishte thjesht një batutë “gazmore” momentale, nuk do të shkaktonte kaq ilaritet.

Por përsëritja si një shaka pa kripë edhe nga njerëz me autoritet zyrtar në klub, bën që të krijohet një atmosferë jo e këndshme.

Disa media lokale, të njohura për qëndrimin e tyre legjitim religjoz, në rrjetet e tyre nisën t’i mëshojnë fort kësaj të ashtuquajturës metaforë osmanllije. E normalisht kjo ka sjellë edhe një reagim jo të shëndetshëm në komente. Pasi mjaft qytetarë që u shokuan nga osmanizimi i ekipit të zemrës reaguan fort, madje edhe me fjalë të rënda. Do të ishte kjo një provë, për të bindur autorët e këtyre shakave pa kripë, për të ndaluar këtë “lojë” të rrezikshme në Shkodër, në një qytet që ka disa besime, disa qëndrime, disa botëkuptime. Ku secili ka ndjenjat, mendimet, e paragjykimet e tij.

Por jo, nuk ishte e thënë; në këtë provokacion, që ngjan me një lojë masakruese të rrezikshme janë përfshirë edhe njerëz të rëndësishëm, edhe pse në publik nuk e kanë kuotimin e respektit apo vlerësimit.

Ditën e sotme, po kjo media që provokoi me metaforën osmane, solli përmes një logjike krejt jo adekuate një shkrim të myftiut të Shkodrës, Muhamet Sytari, i cili i kishte bërë homazh komandantit turk të Shkodrës gjatë rrethimit malazez, Hasan Riza Pasha.

Ky shkrim i risjellë në rrjete sociale, si një nderim ndaj dëshmorëve turq, sërish ka ngjallur një keqkuptim të madh, edhe ka pasur mjaft komente kundërthënëse. Në komente, ku ka ndërhyrë edhe ish-deputeti Selami Jenisheri, i cili sulmoi verbalisht një qytetar shkodran, që ndodhet në emigracion, në SHBA prej vitesh.

Jenisheri e quajti Enver Permezën, një emër i njohur mjaft në qytet, “mosmirënjohës”. E kjo provokoi natyrisht një reaksion zinxhir sharjesh e sulmesh mes shkodranëve.

Po çfarë është e gjitha kjo? Që spontane nuk është, kjo kuptohet, po ku duan të dalin këto që helmojnë mjedisin e një qyteti, i cili në shekuj kurrë nuk ka pasur asnjë problem mes qytetarëve të besimeve të ndryshme. Shumë janë munduar herë pas herë, por në Shkodër asnjëherë nuk ka pasur një hendek mes qytetarëve të feve të ndryshme. Të cilët në shumicën e rasteve janë fqinj e miq me breza.

Sot, më shumë se asnjëherë i takon njerëzve me autoritet që ta ushqejnë edhe më shumë këtë bashkëjetesë shekullore. E këtë e tregon edhe rasti i klerikëve si zoti Sytari, i cili është një anëtar i një familje me prindër njëri katolik e tjetri mysliman, e që nuk ka pasur asnjë problem. Nëse duhet me të drejtë të nderohen individë që kanë dhënë kontribut për Shkodrën, edhe si Hasan Riza Pasha, ata duhet të nderohen sinqerisht pa një kontekst të dyfishtë. Nderimi i sakrificave që Shkodra realisht ua ka dhënë ndër vite njerëzve që e kanë nderuar mjafton që të mos bëjë politikë e polemikë.

Por ka një gjë në këtë mes. Shkodra, nuk duhet të përzihet me atavizmat osmanë, sepse ky qytet i përjetshëm shqiptar, ka vuajtur më shumë se çdo vendbanim tjetër masakrat e tmerrshme të Perandorisë Osmane.

Që janë bërë të përjetshme me kronikat e panumërta të kronikanëve edhe osmanë por edhe perëndimorë, e mbi të gjitha nga mjeshtri i mjeshtërve Marin Barleti me “Rrethimin e Shkodrës”.

Me të drejtë, çdo kush që nuk e gjen vetën në atavizmat otoman ndjehet i prekur në nervin më nevralgjik të shpirtit të këtij qyteti mijëvjeçar.

Shkodra ka qenë shumë përpara se Osmani e i biri të bashkohen me mongolët për të pushtuar Ballkanin.

Shkodra është ikona e qytetërimit shqiptar, atëherë kur osmanët ishin nomadë në Azinë e Vogël.

Ndaj nuk ka sens të luash me një djep të civilizimit ilirik e evropian.

Shkodra është zemër shqiptarie e aspak një atavizëm turkoshak. Kush e mendon këtë, siç ka thënë Luigj Gurakuqi, të shkojë në Anadoll, po vend nuk ka në qytetin e përjetshëm!/Pamfleti

përleshja e panevojshme atavizmat otomanë shkodra

Lini një Përgjigje