Nuk ka sens që ky establishment të paraqitet si risi në një epokë të re kur duhet të mundësh Edi Ramën. Rishfaqja e fantazmave të vjetra është vetëm një betonim i një enturazhi pushteti që edhe për opozitarët konsiderohen, një kapitull i mbyllur...
Lajmi i sjellë nga mediat pranë qeverisë, se Gjin Gjoni mund të jetë kandidat i Rithemelimit në Lezhë, duket se është një ekzagjerim, më shumë i sajuar.
Me një fjalë që opozita do të kandidojë të rënët nga fiku e të rrëzuar nga vettingu. Kjo kuptohet qartë. Gjëja e parë që pritej nga zyrtarët e partisë së Berishës ishte përgënjeshtrimi i qartë, i prerë, duke e konsideruar këtë lajm qeveritar si makinacion dhe provokim të hapur. Por jo!
Gaz Bardhi, në një konferencë si kreu i deputetëve të Rithemelimit, nuk e bëri këtë përgënjeshtrim. Por tha se mund të jetë një propozim, një ide, një vetëkandidim që vjen nga baza.
Natyrisht kjo është një zgjidhje politike në të drejtën e Foltores, siç është edhe e drejta e Gjin Gjonit për të hyrë në politikë, apo e çdokujt në fund të fundit.
Po çfarë mesazhi del nga ky lajm që nuk përgënjeshtrohet por ushqehet si një “vetëkandidim”?
Një mesazh i qartë dhe pa ekuivok se opozita as nuk e ka ndërmend që ta ndërrojë elitën politike të saj, por të riciklojë të gjithë ata personazhe, që kanë qenë për 33 vite zyrtarë, VIP-a e biznesmenë të kamur në këtë Shqipëri që qeveriset nga mazhoranca e Edi Ramës.
Ky është një mesazh që mbyt që në lindje çdo nismë të re politike, çdo ambicie normale të të rinjve që duan ndryshimin politik, e me gjithë shpirt duan të votojnë opozitën.
Por shohin se opozita më shumë se një organizatë që kërkon të ndryshojë, kërkon të riciklohet. Në mos Berisha; Argita, në mos Basha; Bardhi, në mos një i ri-Gjin Gjoni.
Ky koncept e bën opozitën, një organizatë të ‘gjingjonëve’, që kërkojnë të riciklohen në një sistem të ri, edhe pse kanë qenë në krye për 33 vite.
Gjin Gjoni është një nga simbolet e drejtësisë së Sali Berishës të ardhur nga kursi i plepave, por që u bë një ndër njerëzit më të pasur në vend, që përveç jetës së luksit zotëron disa biznese fitimprurëse. Aq sa shkaktoi edhe përplasje me qeverinë e SHBA-së, që e konsideroi koncensionin e familjes së tij në aeroportin e Rinasit si një konflikt interesi.
Si Gjini, apo edhe të tjerë njerëz të drejtësisë së vjetër, kanë të drejtën e tyre të mbështesin këdo politikisht. Madje edhe ta financojnë. Por nuk ka sens që ky establishment të paraqitet si risi në një epokë të re kur duhet të mundësh Edi Ramën. Rishfaqja e fantazmave të vjetra është vetëm një betonim i një enturazhi pushteti që edhe për opozitarët konsiderohen, një kapitull i mbyllur.
Gjasat janë që këtë lajm, që e kanë hedhur mediat e pushtetit, e ka sajuar Sali Berisha dhe klani i tij. Për t’i treguar qoftë Gaz Bardhit, apo edhe grupeve të tjera mbështetëse se doktori nuk i harron mbështetësit. Madje është gati që t’i bëjë deputetë. E drejtë e tij në fund të fundit, por është pikërisht kjo mënyrë e mendimit të thithjes së elitës që ka sjellë tharjen politike të opozitës. Sepse e kanë konsideruar një parti ‘gjingjonësh’. E në këtë rast duke perifrazuar At Gjergj Fishtën, mund të thuhet se opozita e sotme është fiks si e kërkojnë armiqtë e saj, pra Edi Rama!/Pamfleti
Lini një Përgjigje