TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Mars 2024, 17:12

Rasti “Beqja” dhe “rastësia” e vizitës urgjente të zyrtarit të SHBA për të mbrojtur SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Rasti “Beqja” dhe “rastësia” e vizitës
Todd Robinson dhe Altin Dumani /

Vizita e sotme e Todd Robinson nuk ishte një rastësi, por një qëndrim i fortë politik, për të ndaluar sulmin ndaj SPAK, që aktualisht përveçse nga Berisha që nuk ka fuqi ekzekutive, po vjen edhe nga mazhoranca.

Ilir Beqja, ish-ministri dhe një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, nuk është më një person nën hetim. Dosja e SPAK ndaj tij është mbyllur dhe dërguar në gjykatë. Ai është një zyrtar i pandehur për dosjen e sterilizimit.

Kjo në fakt pritej sepse ka kohë që SPAK e ka hetuar këtë dosje. Por ishte shumë interesante, që Ilir Beqja doli nga SPAK në seancën e fundit, me një deklaratë, ku e udhëzonte Prokurorinë Speciale ndaj Krimit dhe Korrupsionit se ku duhet të hetojë.

Beqja theksonte se SPAK duhet të hetojë edhe aspektin e kursimit që Koncensioni i Sterilizimit kishte arritur, madje i dha një kohë nga viti 2010 deri në 2013 kur nuk kishte punuar laboratori i vjetër i sterilizimit.

Realisht ky është një guxim i tepërt, që deri tani nuk e ka bërë as Sali Berisha, i cili e konteston totalisht SPAK-un. Një i pandehur, mund të ketë normalisht kundërshtime me hetimin, por nuk mund të kthehet në prokuror.

Ilir Beqja, po hetohet për faktin se i ka dhënë një kompanie, të drejtën e një kontrate shtetërore jashtë rregullave ligjore të funksionimit.

E për këtë ne duhet të ndjekim procesin ku palët do të përplasen, replikojnë e nxjerrin të vërtetat e tyre.

Rasti ‘Beqja’, ka krijuar një precedent të rrezikshëm, ku njerëz të qeverisë adresojnë prokurorët se ku duhet të hetojnë. Por në logjikë, në ligj e Kushtetutë nuk ka pse të ndodhë kjo. Sepse një prokuror heton mbi faktet apo argumentet që ka në dosje, e jo çfarë i sugjeron i hetuari. Megjithatë ajo çfarë tha Beqja, përputhej në një mënyrë të përpiktë me Edi Ramën që adresoi SPAK që të mos hetojë dhënien e pronave të ushtrisë për qëllime turistike.

E në këtë vlug, në Tiranë zbarkon një zyrtar i lartë i DASH, përkatësisht Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.

I cili u takua sot me shefin e SPAK-ut, Altin Dumani. E sipas njoftimit të ambasadës amerikane, ai “erdhi për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE përmes sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së transparencës gjyqësore”. Pra nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një qëndrim të fortë politik, për të ndaluar sulmin ndaj SPAK, që aktualisht përveçse nga Berisha që nuk ka fuqi ekzekutive, po vjen edhe nga mazhoranca. Një javë më parë, David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, konfirmoi fondin e mbështetjes financiare, pra pagat e shpërblimet për SPAK e BKH, që qartësisht nënkupton pavarësi nga qeveria./Pamfleti

todd robinson ilir beqja altin dumani "rastësia" e vizitës urgjente

Lini një Përgjigje