TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Mars 2024, 10:54

Frikacaku Rama që fshihet pas arrogancës

Shkruar nga Pamfleti
Frikacaku Rama që fshihet pas arrogancës
Edi Rama

Pse ka filluar të dalë nga binarët kaq shpesh Edi Rama kur ka gazetarë përballë?

Nuk është hera e parë që ndodh, dhe kështu si po shkojnë punët, nuk do të jetë as e fundit. Historia politike e Edi Ramës dëshmon, më shumë se në një rast, se sa herë që Kryeministri ndihet ngushtë, del jashtë kontrollit dhe reagon dhunshëm. Këtë e dinë me mirë se kushdo bashkëpunëtorët e tij - është shumë e famshme tavlla e duhanit që i pat fluturuar kokës Artan Lames, që nga koha e Bashkisë së Tiranës. E dinë shumë mirë edhe ministreshat e veta që hanë dru sa herë që "shefi nxehet", e dinë ish-gratë dhe ish-të dashurat, e dinë edhe punonjësit e thjeshtë të administratës kryeministrore që ia dëgjojnë zhurmën.

E dinë në disa raste edhe gazetarët që janë përjashtuar nga konferencat për shtyp "për biografi të keqe", siç e pamë sot të ndodhte edhe me gazetaren Ambrozia Meta, e cila nuk e ka për herë të parë një përballje të ngjashme me kryeministrin.

Ambrozia Meta po bënte detyrën dhe nuk bëri asgjë më shumë se një pyetje, e cila në thelb përmblidhte krejt të vërtetën e pushtetit të Edi Ramës: sjelljen e tij si padron me pronat publike të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Si përgjigje mori atë gjest prej gango të Kryeministrit, që për ta shfryrë gjithë dufin, jo vetëm që nuk kërkoi falje, por shkroi në Twitter se "nuk kam ndjesë për të kërkuar".

Po pse ka filluar të dalë nga binarët kaq shpesh Edi Rama kur ka gazetarë përballë?

Le ti marrim disa nga rastet e fundit me radhë:

Në korrik të 2022, Edi Rama bëri atë që as ish parë e as ish dëgjuar në një vend demokratik: përjashtoi nga konferencat e tij për shtyp gazetarin Kevin Muka. Arsyeja ishte pyetja që ai i drejtoi Olta Xhaçkës, asokohe ministre, si bashkëshortja e një investitori strategjik, çka përbënte një shkelje, për të cilën parashikohej largimi nga puna. Xhaçka ngeci e nuk u përgjigj, ama Rama u nervozua aq shumë sa të gjithë inatin ia shfryu gazetarit duke e përjashtuar për 3 muaj nga konferencat?

Rama u tremb shume nga ajo pyetje?

Ku është Xhaçka sot?

Po mundohet ti shpëtojë drejtësisë.

Në janar të vitit 2021, pasi u mundua të fshihej pas skandalit të shpërthyer për çështjen e përgjimeve të anti mafias italiane, Edi Rama u shfaq para gazetarëve i tmerruar. Por jo vetëm që nuk ktheu përgjigje, por iu hakërrye me ofendime e sharje opinionistëve shqiptarë, duke i quajtur "derra që zhgrryhen nëpër studio, që janë me keq se vetë kriminelët".

Rama u tremb shumë edhe në atë rast ndërsa përgjimet përbëjnë një nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverie që e lidhin Ramën dhe vetët me kokat e mafias më famëkeqe në botë.

Në korrik të 2018, sërish ishte gazetarja Ambrozia Meta ajo që e nxorri nga binarët Kryeministrin.

Pyetja ishte e thjeshtë: Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj akuzoheshin për implikim në trafikun e drogës.

Atëherë Rama u çmend fare dhe presioni që i bëri Ambrozias ishte i pashoq. Rezultati: Saimir Tahiri është në burg, ndërsa Fatmir Xhafaj u zhduk pas provave të zbuluara se i vëllai ishte i zhytur deri në fyt në trafikun e drogës.

Prandaj edhe ajo që ndodhi sot, më shume se arroganca e një njeriu të çmendur nga pushteti është frika që ka nga zullumet që i kanë bllokuar edhe derën. Edi Rama ofendoi dje dhe tentoi të prekte gazetaren Meta si gangster, por në fakt ai po ikte, po vraponte të strukej në makinën me xhama të errët sepse e vërteta e tij e tremb. Edhe kësaj here tymi i Durrësit për të cilin pyeti Ambrozia, do të duket shumë shpejt./Pamfleti

edi rama frikacaku që fshihet pas arrogancës

Lini një Përgjigje