TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Dhjetor 2025, 11:16

Perëndimi duhet t’i rikthehet strategjisë për shpërbërjen e Federatës Ruse

Shkruar nga Michael Rubin
Perëndimi duhet t’i rikthehet strategjisë për
Vladimir Putin /

Trump mund të besojë se një pazar djallëzor me Putinin mund t’i japë në fund Çmimin Nobel për Paqe, por personi që do të sjellë paqe në rajon do të jetë ai që e njeh realitetin: paqja e përhershme kërkon shpërbërjen e Rusisë. Perëndimi duhet t’i njohë republikat etnike të Rusisë si kombe të pushtuara, të përgatitet për zhvendosjet e popullsisë dhe të sigurojë armët bërthamore gjatë çdo shpërbërjeje...

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, vazhdojnë të diskutojnë për një zgjidhje paqeje në Ukrainë, që do të kërkonte që ish-shteti sovjetik të lëshonte territor në këmbim të paqes. Ky është një veprim dritëshkurtër, që ka më shumë gjasa të shkaktojë konflikt sesa ta shuajë atë.

Tek e fundit, si në vitin 1991 ashtu edhe në vitin 1994, Rusia e kishte njohur si ukrainas territorin që tani e kërkon për vete. Duke imponuar lëshimet e Ukrainës, Trump po shpërblen jo vetëm agresionin, por po mbështet narrativën imperialiste të Putinit.

Një histori e shkurtër e imperializmit rus

Ndërsa intelektualët dhe akademikët amerikanë vetëfshikullohen për keqdashjen e supozuar historike të SHBA-së dhe synojnë të nënvlerësojnë çdo koncept të “jashtëzakonshmërisë amerikane”, dhe zyrtarët britanikë, përfshirë Mbretin Çarls III, po kërkojnë falje për disa teprime gjatë epokës së kolonializmit, realiteti është se Rusia jo vetëm që ishte ndër ndërmarrjet koloniale më brutale në botë, por mbetet pa asnjë turp një fuqi imperialiste.

I vetmi ndryshim midis imperializmit rus dhe homologëve të tij evropianë është se kur evropianët kolonizuan vende dhe territore, ata e bënë këtë në të gjithë globin, shpesh bazuar tek marinat e tyre të fuqishme.

Prandaj, Britania e Madhe pushtoi Indinë, holandezët morën Indonezinë dhe spanjollët e portugezët kolonizuan pjesën më të madhe të Amerikës Latine. Francezët sekuestruan territore nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore deri në Karaibe e në Paqësorin Jugor.

Ndërkohë, Perandoria Ruse u mbështet në ushtritë e saj dhe u zgjerua përgjatë kufijve të saj. Në shekullin XVI, Rusia u zgjerua duke pushtuar khanatet e Astrakhanit dhe Kazanit, që të dyja shtete të ndërtuara mbi mbetjet e fragmentuara të Perandorisë Mongole.

Forcat ruse vazhduan më pas të gllabërojnë Siberinë. Traktati i Nerçinskut i vitit 1689 caktoi kufirin tokësor të Rusisë me Kinën e dinastisë Qing, duke konfirmuar kontrollin rus mbi rajonin e Liqenit Bajkal. Gjatë shekullit XVIII, forcat ruse kthyen kokën nga Perëndimi, duke pushtuar Detin Baltik, Poloninë dhe duke marrë territor nga Suedia.

Vetëm forca e prusianëve (gjermanëve të sotëm) e ndaloi zgjerimin e mëtejshëm të Rusisë drejt Perëndimit. Në fillim të shekullit XIX, forcat ruse ia morën Kaukazin Persisë (Iranit të sotëm), duke vendosur nën kontroll Gjeorgjinë, Armeninë, Dagestanin dhe atë që më vonë u bë Azerbajxhani.

Disfata e Rusisë në Luftën e Krimesë 1853–1856 e pengoi zgjerimin e saj drejt jugut në territoret osmane. Kështu forcat e saj u zhvendosën drejt lindjes, duke fshirë nga harta shumë shtete dhe mbretëri. Sot janë zhdukur khanatet e Khivës, Samarkandit dhe Buharasë.

Në vitin 1860, Rusia ia mori Kinës rajonin e Amurit, duke arritur deri në brigjet e Oqeanit Paqësor. Ndërsa Perandoria Ruse ishte më e vogël se Perandoria Britanike në sipërfaqe totale tokësore, zotërimet e saj koloniale i tejkalonin ato të Francës.

Jo vetëm kaq, Rusia u dallua edhe në brutalitetin e saj. Ajo skllavëroi popuj të pushtuar si aleutët dhe zhvendosi ose vrau më shumë se 95 për qind të çerkezëve gjatë pushtimit të territorit të tyre nga Rusia midis viteve 1863–1878. Po ashtu, trupat ruse zhvendosën me forcë çeçenët, tatarët dhe siberianët vendas.

Shtypja kulturore ishte e përhapur. Sulmet e Putinit kundër ukrainasve dhe shpjegimet e tij pse kultura ukrainase është e paligjshme dhe nuk ka të drejtë të ekzistojë, janë më shumë rregull sesa përjashtim midis udhëheqësve rusë. Ajo tregon përbuzjen tipike që kanë udhëheqësit rusë ndaj jo-rusëve.

Trump mund të besojë se një pazar djallëzor mund t’i japë në fund Çmimin Nobel për Paqe, por personi që do të sjellë paqe në rajon do të jetë ai që e njeh realitetin: paqja e përhershme kërkon shpërbërjen e Rusisë.

Rënia e perandorive mundëson stabilitet afatgjatë

Për këtë ekzistojnë shumë precedentë. Kështu, sot Evropa është shumë më mirë pa Perandorinë Austro-Hungareze sesa ishte me të. Është e vërtetë që një Gjermani irredentiste dhe e pangopur e shkaktoi Luftën e Dytë Botërore pjesërisht për t’u ushqyer me mbetjet e saj, por kjo ishte më shumë rezultat i dëshirës së Gjermanisë për të rikolonizuar Evropën sesa i dekolonizimit.

Përveç Kinës, asnjë nga fqinjët e Rusisë nuk është i interesuar të zgjerojë perandoritë e veta mbi “kockat” e Rusisë. Rënia pasuese e Jugosllavisë në njësi më homogjene nxori në pah një epokë mundësish, nëse jo begatie, pasi ata mposhtën nacionalizmin dhe irredentizmin virulent të presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.

Në vitin 1990, të ardhurat për frymë të Jugosllavisë (sipas kursit të sotëm të dollarit) ishin afërsisht 3.700 dollarë. Sot të ardhurat mesatare për frymë në Serbi janë 4 herë më të larta, teksa janë edhe më të larta në Slloveni dhe Kroaci.

Ndërsa zyrtarët amerikanë mund ta shohin rënien e Jugosllavisë si një rrëfim paralajmërues për copëtimin e shteteve, mësimi i vërtetë është i kundërt: çelësi i paqes është mposhtja e irredentizmit. Lufta nuk ishte e pashmangshme kur u shemb Jugosllavia; Millosheviçi e përshpejtoi atë.

Putini sot po luan një rol të ngjashëm me Millosheviçin. Edhe shembja e Perandorisë Osmane nxiti lirinë e popujve në të gjithë Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme. Grekët, bullgarët, shqiptarët, egjiptianët, arabët, hebrenjtë dhe shumë të tjerë fituan lirinë e tyre kur u shemb “i sëmuri i Bosforit”.

Duke lënë mënjanë pretendimet e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, nuk ka kthim prapa për asnjë nga ish-nënshtetasit e Perandorisë Osmane. Madje rrënimi ekonomik i Turqisë nga Erdogani dhe i sistemeve që ndërtuan paraardhësit e tij e bëjnë të mundshme rënien e mëtejshme dhe lëshimet territoriale pas boshllëkut të lënë nga vdekja e tij.

Ndërsa historianët dhe diplomatët mund të tregojnë luftërat që shoqëruan rënien e perandorive Austro-Hungareze dhe Osmane, por edhe të Federatës Jugosllave, si arsye për të shmangur rënien e Rusisë, fakt është se lufta tashmë po e rrethon Rusinë dhe se në secilin rast, një shpërthim afatshkurtër dhune mundësoi një të ardhme shumë më të qëndrueshme. Edhe luftërat e lokalizuara në Lindjen e Mesme janë dytësore në krahasim me ato në të cilat u përfshi dikur Porta e Lartë Osmane.

Përgatitja për rënien e Rusisë

Edhe vdekja e Putinit do të lërë pas një boshllëk. Ashtu si pas rënies së Bashkimit Sovjetik, do të ngrihen fuqitë rajonale, disa të padëmshme dhe të tjera, si i ndjeri Vladimir Zhirinovski, të ndërtuara mbi teprime nacionaliste dhe konspirative.

Ashtu siç gatishmëria e Millosheviçit për të ndryshuar kufijtë pati efekt të kundërt dhe mundësoi shkëputjen e Kosovës, edhe shpërfillja e Traktatit të Lozanës nga Erdogani vendos një precedent për të rishikuar kufijtë e Turqisë nga brenda, ashtu si edhe shpërfillja e Deklaratës së Almatit të vitit 1991 nga Putini, e cila garantonte kufijtë pas-sovjetikë, krijon një precedent për të cilin një Rusi e ardhshme mund të paguajë çmimin më të rëndë.

Në të vërtetë, kontributi më i rëndësishëm i Trumpit për paqen mund të jetë krijimi i një precedenti në lidhje me dëmshpërblimet territoriale që mund të zbatohet po aq lehtë për Rusinë sa edhe për Ukrainën. Krijimi i pseudo-shteteve nga Putini - Transnistria, Abkhazia, Osetia e Jugut dhe së fundmi Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës - ofron një precedent për ndarjen e shteteve nga Rusia e mirëfilltë në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i njohin 22 republikat etnike përbërëse të Rusisë si shtete të pavarura, edhe pse të pushtuara, dhe t’u lejojnë atyre të hapin përfaqësi në Shtetet e Bashkuara, ashtu siç bënë shtetet baltike gjatë pushtimit sovjetik.

Disa shtete, si Çeçenia, Dagestani dhe Tuva, mund të lëvizin më lehtë drejt pavarësisë, duke pasur parasysh përvojën e tyre të mëparshme. Orientimi evropian i Karelias do ta përgatiste atë siç duhet. Republika të tjera, si Sakha ose Burjatia, mund të kenë nevojë për një kultivim më të kujdesshëm, por duke pasur parasysh burimet e Siberisë, ky mund të jetë një investim i vlefshëm për Perëndimin ose Kinën.

Menaxhimi i transferimit të popullsisë dhe armëve bërthamore

Menaxhimi i rënies së Rusisë nuk do të ishte i lehtë. Dekadat, në mos shekujt e sundimit kolonial, i kanë ngarkuar shumë prej këtyre republikave me popullsi të konsiderueshme ruse. Por edhe këtu ka precedentë. Rusët ishin vendosur prej kohësh në Kazakistanin Verior. Migrimi që pasoi e reduktoi pakicën ruse të Kazakistanit nga 40 për qind që ishte në vitin 1991, në rreth 15 për qind sot. Një evakuim rus i Vladivostokut do të ishte paksa i ndryshëm nga evakuimi osman i Selanikut.

Në disa raste mund të jetë e nevojshme të lehtësohet transferimi i popullsisë, por edhe këtu ka precedentë, siç është ndarja e Indisë në vitin 1947 apo baza për paqen përfundimtare Izrael–Palestinë, në të cilën kolonët hebrenj do të braktisnin vendbanimet jashtë shtetit të Izraelit, ndërsa disa arabo-izraelitë mund të përfshihen në një shtet palestinez si rezultat i shkëmbimeve territoriale.

Por kërcënimi më i rëndësishëm që shoqëron rënien e Rusisë do të jenë armët e saj bërthamore. Është e pamundur të minimizohet ky rrezik, por sërish edhe këtu ka precedentë. Armët bërthamore të Pakistanit përbëjnë një rrezik po aq të madh sa ai vend që luhatet vazhdimisht në prag të rënies.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Perëndimi punoi për të garantuar sigurinë e armëve të tij bërthamore të trashëguara. Ashtu si Ukraina dhe Kazakistani trashëguan shumë prej tyre, edhe shumë armë ruse do të zhvendoseshin në shtetet pasardhëse ku ndodheshin.

Në rastin e armëve bërthamore, kjo mund të çonte më tej procesin e çarmatimit, pasi zotërimi fizik i një rakete bërthamore është shumë i ndryshëm nga aftësia për ta lëshuar atë. Gjithsesi, tërheqja e shtetit rus në bërthamën e tij historike rreth Moskës do të ishte një fitore jo vetëm për viktimat e imperializmit rus, por edhe për fqinjët e Rusisë që kanë vuajtur shumë gjatë nën hijen ruse.

Ndonjëherë, një vend thjesht duhet të neutralizohet për sigurinë e të gjithëve përreth tij. Vdekja e Putinit mund të ofrojë një mundësi historike./Përshtati Pamfleti

Shënim: Michael Rubin, ish-zyrtar i Pentagonit, aktualisht drejtor i analizës së politikave në Forumin e Lindjes së Mesme.

perëndimi rusia federata

Lini një Përgjigje