TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Dhjetor 2025, 10:33

‘Etika’ nis mbledhjen mes tensioneve, deputetët e PD paraqiten me pankarta

Shkruar nga Pamfleti
‘Etika’ nis mbledhjen mes tensioneve, deputetët e PD paraqiten
Sekretariati i Etikës

Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillon mbledhjen ku pritet të vendosin masat administrative ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike, pas kaosit dhe tensioneve të krijuara në seancën e fundit parlamentare.

Socialistët kanë propozuar përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit për deputetët që ndezën flakadanë në sallën e seancave plenare. Këtu përfshihen deputetët Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli, Denisa Vata, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi.

Deputetët e PD u paraqitën në mbledhjen e Etikës me disa pankarta ku ironizojnë Kryeministrin Edi Rama, zv.Kryeministren Belinda Balluku dhe Ergys Agasin.

“Do përjashtoni Sali Berishën se është kryetar i PD-së, do përjashtoni Flamur Nokën se është Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, do përjashtoni Gazment Bardhin se është Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së”, tha Flamur Noka, ndërsa shtoi se masat përjashtuese nuk bazohen në prova.

Për Sali Berishën, Gazment Bardhin dhe deputeten Elda Hoti, socvialistët kërkojnë përjashtimin nga Kuvendi për 30 ditë, ndërsa për 19 deputetë të tjerë të opozitës, kërkohet përjashtimi për 10 ditë.

Të njëjtën gjë pretendoi edhe Albana Vokshi, sipas të cilës, mazhoranca duhet të paraqesë provat lidhur me masat që propozon.

“Ku i keni provat, ku i bazoni kërkesat për përjashtimin e deputetëve. Provat tona janë këto”, tha Vokshi, duke treguar disa nga pankartat, që ligjvënësit demokratë mbanin në duar, teksa zhvillohej mbledhja.

Ndërkohë nga deputeti socialist Ulsi Manja po tregohej videoja nga seanca kur u ndezën flakadanë, Gazment Bardhi e Saimir Korreshi kanë reaguar duke thënë se deputetja Albana Vokshi nuk ka ndezur flakadanë, duke hedhur poshtë pretendimin e paraqitur nga socialistët.

Por Albana Vokshi në reagimin e saj ka pohuar se i ka ndezur flakadanët dhe do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë.

“Unë e kam ndezur dhe e ndez 100 herë derisa të ikë Edi Rama. Po po unë jam aty. Sillni këtu Niko Peleshin të më tregojë pse kishte sjellë Gardën. Nuk jemi këtu si në gjyqet e kohës së Sigurimit të Shtetit. Kemi kërkuar mbledhje me praninë e mediave. Të erdhi mesazhi nga Rama Ulsi? Çfarë të tha të bësh?”, u shpreh Vokshi, duke ironizuar Manjën.

Mbledhja e Etikës është filmuar me telefonat e deputetëve të PD-së, çka ka detyruar të ndërpritet mbledhja, ndërsa socialistët janë larguar.

Lini një Përgjigje