Çdo javë që kalon ka rëndësinë e saj. Asgjë nuk garanton që do të zhbllokohet ndihma e pritshme e SHBA-së. Në rast se nuk ka ndryshim të hapave, ndryshim të kahjes, konflikti do t’i afrohet gradualisht më shumë humbjes së Kievit sesa arritjes së një paqeje të drejtë...
Kur në Rusi nisi farsa elektorale e krijuar enkas për të përjetësuar qëndrimin e Vladimir Putinin në fronin e Kremlinit, udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë zhvilluan një takim në Berlin për të përçuar një mesazh uniteti në mbështetje të Ukrainës.
Në Bashkimin Evropian ekziston një konsensus i gjerë politik mbi nevojën për të ndërmarrë hapa të qëndrueshëm, me synim përmirësimin e aftësisë së kontinentit për të mbështetur Kievin, dhe për të garantuar sigurinë e tij në të ardhmen, në një kontekst që përmban një Kremlin të qëndrueshëm dhe një Shtëpi të Bardhë që është zhdukur nga skena ndërkombëtare.
Konsensusi përfshin forcat socialdemokrate, popullore ose liberale, si tre liderët e takimit të Trekëndëshit të Weimarit në Berlin. Megjithatë, mosmarrëveshjet e rëndësishme dhe proceset burokratike po e ndërlikojnë rrugën, në një kohë kur rrethanat kërkojnë një veprim urgjent.
Ka të ngjarë që rezultati i luftës të vendoset nga ajo që do të bëhet gjatë muajve të ardhshëm. Sa i përket konsensusit bazë, ai po shihet me fakte konkrete. Gjermania, me në krye një kancelar socialdemokrat, po udhëheq një rritje të fuqishme të shpenzimeve ushtarake dhe po e drejton ndihmën ushtarake për Ukrainën nga brenda BE-së.
Franca, me një president liberal, po tregon një vendosmëri aq të madhe saqë po refuzon të përjashtojë mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë në të ardhmen. Komisioni Evropian, i drejtuar nga popullorja Ursula von der Leyen, po nxit ndër të tjera një strategji të re industriale në fushën e mbrojtjes.
Ndërkohë Përfaqësuesi i Lartë i Punëve të Jashtme dhe Sigurisë, socialdemokrati Josep Borrell, është ndër promotorët më elokuentë dhe më efektivë të idesë se është e nevojshme që të bëhen përpjekje dhe të mbështetet urgjentisht Kievi në mbrojtjen e tij, teksa BE-ja duhet të ngrihet në lartësinë e sfidave të mëdha që ka përpara.
Ky konsensus po zhvillohet rreth një ideje të përbashkët: heqja dorë nga përpjekjet ushtarake nuk të çon drejt paqes, por drejt humbjes. Kështu deklaroi Macron në një intervistë televizive në Francë të enjten e javës së kaluar. Presidenti francez, autori i një kthese në të djathë në lidhje me çështjet e emigracionit, ka të drejtë në këtë aspekt, duke shprehur një koncept me të cilin është dakord shumica dërrmuese e spektrit politik evropian.
Sigurisht, ka disa parti të vogla, përfaqësues të partive të mëdha, por në përgjithësi një segment i dukshëm i shoqërisë evropiane, e cila po shfaq një ngurrim të kuptueshëm ndaj perspektivës së riarmatimit. Por qytetarët që kanë dyshime legjitime, duhet më së pari të mendojnë se u takon ukrainasve që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.
Me të drejtë ata nuk duan që t’i dorëzohen agresionit me një pakt të mundshëm, i cili përveçse do të sillte një shkëputje të një pjese të mirë të territorit, nuk do të siguronte asnjë lloj garancie për paqen në të ardhmen.
Dhe pastaj ata duhet të pyesin veten, nëse ne duhet t’i lëmë ukrainasit vetëm në rezistencën e tyre, dhe nëse një paqe e arritur sot në Ukrainë nga dobësia, mund të garantojë nesër paqen në Evropë, kur ulur në anën tjetër nuk është Mahatma Gandi, por Vladimir Putin, një individ për të cilin vetëm perspektiva e humbjes dhe jo respektimi i pakteve, duket të jetë një rrethanë frenuese.
Në rast se me pakësimin e ndihmës amerikane, evropianët nuk e forcojnë mbështetjen e tyre për Kievin, ka shumë të ngjarë që Moska të zgjedhë ta nënshtrojë Ukrainën - dëshirën e saj e vjetër - dhe jo të ndalojë e të negociojë. Dhe nëse ajo e nënshtron Ukrainën, a mund të besojmë se nga ai moment e tutje do të kemi një Kremlin pacifist?
Të rrish duarkryq dhe të presësh në një kohë që Rusia është aktualisht një ekonomi lufte, dhe kur Donald Trump ka një shans të mirë për të fituar sërish zgjedhjet në SHBA, do të thotë minimumi të tolerosh një rrezik të madh. Me përjashtim të aksionerëve të kompanive të armëve, gati të gjithëve nuk na pëlqen që të shpenzojmë më shumë për armë.
Përkundrazi duam që gjithçka të shpenzohet për spitale dhe shkolla. Por situata është kjo që është. Ukraina po vuan, dhe rezistenca e saj po lëkundet. Dhe në një sektor si mbrojtja, vendimet në lidhje me furnizimet apo prodhimin e ri kërkojnë muaj apo edhe vite për t'u materializuar.
Shumë analistë sugjerojnë se udhëheqësit duhet të kuptojnë ndjenjën e urgjencës. Në takimin e Berlinit, Scholz tha se ka një marrëveshje për të përdorur interesat e mbledhura nga asetet e ngrira të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën. KE miratoi këtë javë një fond të ri të ndihmës ushtarake për Kievin me vlerë 5 miliardë euro, dhe 500 milionë euro të tjera për të rritur kapacitetin e prodhimit të municioneve.
Por midis njoftimeve dhe fakteve ka një lloj distance. Dhe konsensusi strategjik, nuk e zhduk mospajtimin taktik. Aktualisht ka mosmarrëveshje se si të mblidhen paratë që janë aq shumë të nevojshme - për shembull, nëse duhet t’i drejtohemi borxhit të përbashkët - se si t’i shpenzoni ato, sa prej tyre duhet të shkojë për armët efektive që janë të disponueshme në Treg, dhe sa për prodhimin evropian që garanton autonomi në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë; apo edhe se si ta ndihmojmë Kievin në mënyrë specifike.
Macron po flet aktualisht ashpër ndaj Rusisë, por Franca i ka ofruar shumë më pak ndihmë Ukrainës sesa Gjermania. Madje duke pasur parasysh madhësinë e ndryshme të PBB-së dhe ndalimin e blerjeve të nevojshme të materialeve jashtë BE-së. Scholz ka bërë shumë, por ngurrimet e tij - shpesh duke thënë “Jo” në fillim dhe duke pranuar më vonë - dhe ato të të tjerëve kanë humbur shumë kohë të çmuar.
Ukraina vazhdon të mbrohet dhe ka arritur t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme Rusisë. Por situata e tyre është e brishtë. Shumë e brishtë. Çdo javë që kalon ka rëndësinë e saj. Asgjë nuk garanton që do të zhbllokohet ndihma e pritshme e SHBA-së. Në rast se nuk ka ndryshim të hapave, ndryshim të kahjes, konflikti do t’i afrohet gradualisht më shumë humbjes së Kievit sesa arritjes së një paqeje të drejtë./Përshtati Pamfleti nga “El Pais”
Lini një Përgjigje