TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Mars 2024, 09:51

Edi Rama paralajmëron kupolën e PS: Kush hetohet nuk kandidon!

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama paralajmëron kupolën e PS: Kush hetohet nuk kandidon!
Kryeministri Edi Rama /

A po i përgatit Kryeministri zgjedhjet e parakohshme?

E ashtuquajtura fushatë e anëtarësimeve që Edi Rama ka shpallur përmes një mobilizimi jashtë agjende të PS-së, fsheh në realitet të tjera qëllime dhe objektiva.

Në takimin që Rama ka zhvilluar me “kolonelët” e lartë të partisë përpara se të fliste para mediave, ka qenë mjaft i qartë.

Siç mësohet, Kryeministri ka folur për një “pastrim të përgjithshëm”, që do të thotë, që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kandidojë asnjë personazh i lartë apo i ulët i PS-së që ka probleme me drejtësinë. Që do të thotë, jo vetëm nëse ka një hetim zyrtar, por edhe nëse ka nisur një proces para hetimor nga struktura e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, SPAK.

Me fjalë të thjeshta, Rama ka bërë të ditur se Partia Socialiste nuk e ka komoditetin që të ecë përpara, nëse mbi shpatulla ka hije apo edhe dosje ndaj njerëzve të saj.

Por kjo nuk është aspak e thjeshtë, dhe nga ana tjetër përbën një lajm të madh nëse bëhet realitet. Nëse kjo ndodh, atëherë Partia Socialiste do të paraqitet në zgjedhjet parlamentare me një ekip krejt të ri, ku do të mungojnë të gjithë peshat e rënda të qeverisë 11 vjeçare, ndaj të cilëve kanë nisur hetime zyrtare apo para zyrtare për korrupsion e abuzim pushteti.

Një veprim jo i thjeshtë për t’u ndërmarrë, qoftë në aspektin praktik, qoftë edhe në atë politik. Praktik, sepse janë këto pesha të rënda që Rama u ka dhënë kompetenca të plota në territor, duke mbajtur larg deputetët e tjerë, dhe është e vështirë për të ngjizur një mobilizim të militantëve në fushatë. Aq më shumë që një pjesë e drejtorëve të hetuar nuk do të jenë në fushatën zgjedhore.

Është një telash i madh për Ramën që të rinisë një operacion elektoral pa shefat që kanë në dorë një pjesë të administratës që është edhe një makinë zgjedhore.

Ndërkaq, është problem politik, pasi nëse PS del në zgjedhje pa detashmentin e politikanëve kryesorë të saj, por vetëm me Edi Ramën në krye, do të jetë mjaft e vështirë për të ecur në publik lirshëm.

Pasi do të kenë thuajse gjithë kohën breshëritë e sulmit ndaj një elite që ka qenë vitrina e maxhorancës, por një ditë të bukur e ka braktisur, për të bërë makiazh.

Gjithsesi, zgjidhjet për kreun e mazhorancës nuk se janë shumë, ndaj ka menduar një operacion “rrufe”, ku nuk përjashtohet një dalje në zgjedhje sa më shpejt, ndoshta pa e arritur pranverën e vitit 2025.

Ky version, edhe pse duket një mekanizëm politik presioni ndaj SPAK që të mos provokojë një krizë politike me hetimet e tij, mund të jetë edhe një realitet. E këtë e ka bërë të ditur Rama në disa takime me krerët e qarqeve, duke u thënë se duhet të mendojnë që zgjedhjet mund të bëhen tani.

Pra të jetë gati makina zgjedhore e PS-së, në mënyrë që të hyjë në garë pikërisht tani kur sondazhet janë më në favor, sesa në një kohë tjetër, kur me ndonjë hetim të hapur nga SPAK, partia do të shkojë në zgjedhje e plagosur.

Edi Rama, megjithatë, e ka një plan B në mendje, madje edhe në letër. Që parashikon që krerë qarqesh të komandohen kryetarët e bashkive kryesore të vendit, të cilët nuk kanë probleme me drejtësinë. E nuk është aspak çudi, që të shohim krerë qarqesh pikërisht krerët e bashkive, që luftojnë edhe pse nuk janë kandidatë për deputetë.

Rasti i Veliajt, i cili është i vetmi politikan i lartë socialist që ka nisur fushatën e anëtarësive në Tiranë, duket si një manual për një model politik që gjithsesi duhet thënë ende nuk është përmbyllur.

Po a i leverdis Edi Ramës që të shkojë në fushatë pa grupin kryesor, që nëse nuk hyjnë në kandidim mund të shërbejnë si boomerang?

Në të vërtetë kryeministrit i leverdisin pak gjëra për të marrë mandatin e katërt, të cilin e ka menduar krejt të lehtë në planin strategjik.

Aq sa në prag të zgjedhjeve të 2021-shit u ka thënë të tijve: Mandati i tretë do të jetë shumë i vështirë për tu marrë, sepse po luhet një mit i pa thyer. I katërti pastaj do të jetë ‘bukë e djathë’! Gjë që nuk po rezulton!/Pamfleti

rama paralajmëron kupola e ps kush hetohet nuk kandidon

Lini një Përgjigje