
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka komentuar protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha gjatë ditës së nesërme para Gjykatës së Lartë ku pritet të vendoset mbi vulën e PD. Sipas tij të protestosh para gjykatës do të thotë të shembësh sistemin.
Kadilli shtoi se nëse njëra prej palëve nuk është e kënaqur me vendimin që do të marrë gjykata e Lartë, atëherë le të krijojë parti tjetër nëse është e bindur se do të ndiqet nga njerëzit dhe do të votohet.
“Nuk të pëlqen çfarë vendos gjykata? Shko krijo një parti tjetër. Krijo logo tjetër, nëse ke aksionin, vizion të qartë që e besojnë, patjetër që do të vijnë. Një parti që e fut veten në këto cic mice, është sepse nuk është e zonja të prodhojë politikë. Një protestë para gjykatës do të thotë të shembësh sistemin”, tha Kadilli në “Report Tv”.
Sa i takon mundësisë që Sali Berisha të shpallë Argita Malltezin si pasuese të tij në krye të Rithemelimit, Kadilli u përgjigj se kushdo që bën pjesë në mbështetësit e Berishës, cilësohen ‘Berishistë’ dhe duhet të pranojnë se e vendos ai kujt ia lë trashëgimi.
“Është strategji ngulitje edhe më thellë. Deri tani kishim Berishën, me të mirat dhe të këqijat respektohet se ka krijuar atë që ka krijuar. Malltezi Rithemelimin e shndërroi nga ringritje të PD në ringritje të bunkerizimit të vetë. PD që u votua në 25 prill të 2021-it nuk ekziston më. Ata kanë zgjedhur të jenë Berishistë, ajo është partia Berisha nëse regjistrohet nesër. E vendos babai kujt ia lë trashëgiminë djalit apo vajzës”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje