
Një prej opsioneve të diskutuara është ngujimi i Salianjit në seli.
Grupi Parlamentar i PD-së po zhvillon një mbledhje në selinë blu, ku po diskuton kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Ervin Salianjit.
Mësohet se një prej opsioneve të diskutuara është ngujimi i Salianjit në seli. Burime nga mbledhja konfirmojnë se ka propozime që Salianjin ta mbajnë në seli dhe të qëndrojnë me të edhe deputetët demokratë.
"Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar ti kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike", tha Bardhi.
Kujtojmë që vetë Ervin Salianji ka deklaruar se do të dorëzohet vetë në polici. Deputeti demokrat doli në një konferencë për mediat, ku tha se nuk shkon në burg për kallëzim të rremë, por si një politikan që ka denoncuar me prova korrupsionin dhe përfshirjen në narkotrafik të vëllait të ministrit.
"Kam komunikuar që dje me drejtuesin e prokurorisë dhe policisë për t’i thënë që jam gati, çfarë ju duhet, për t’i ndihmuar. Se këta nuk të gjejnë dot. Gjithë grupet kriminale, del arresti nga SPAK, vetëm letra u ngel në dorë, njerëzit i ikin. Unë nuk jam nga ata, jam nga ata që përballem", tha Salianji.
Më tej, deputeti demokrat tha se kjo është çështje më e gjerë pasi i përket PD-së. Salianji shtoi se do të konsultohet me demokratët e tjerë, por vendimmarrja i takon atij.
"Qëndrimi im nuk ndyshon dhe unë do të përballem aty ku e ka caktuar regjimi. Kjo është një çështje e PD-së, nuk është një çështje personale. Nuk është një çështje që ka nisur për shkak të një interesi vetjak, është një çështje që i tejkalon interesat personale. Unë do t’i dëgjoj kolegët, por padiskutim kam vendimmarrjen time, e kam thënë dhe dje", deklaroi Salianji.
Lini një Përgjigje