TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 20:03

PD e Lezhës kujtohet të reagojë për dhunën ndaj Sokol Tomës: Këmbanë alarmi për sigurinë në vend!

Shkruar nga Pamfleti
PD e Lezhës kujtohet të reagojë për dhunën ndaj Sokol
Sokol Toma

Partia Demokratike në Lezhë është kujtuar të reagojë për dhunën barbare ndaj Sokol Tomës, ish-kreut të saj në Dajç. Edhe pse kjo ngjarje ka ndodhur dy ditë më parë.

PD u kërkon organeve ligjzbatuese zbardhja e plotë e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve. Po ashtu në këtë reagim të vonuar, PD Lezhë shpreh solidaritet dhe mbështetje të plotë ndaj Tomës e familjes së tij.

“Kjo ngjarje është tronditëse dhe e papranueshme për çdo shoqëri demokratike, ndërsa përbën një tjetër këmbanë alarmi për gjendjen e rëndë të rendit dhe sigurisë publike në Lezhë dhe të gjithë vendin. I kërkojmë Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të veprojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Çdo vonesë, heshtje apo tentativë për të relativizuar raste të tilla vetëm sa rrit mosbesimin e qytetarëve tek institucionet dhe inkurajon klimën e pandëshkueshmërisë”, shkruhet në postimin në rrjetet sociale.

Toma u dhunua teksa udhëtonte me makinë nga Tirana drejt Lezhës. Persona të maskuar, ende të paidentifikuar i zunë pritë dhe e rrahën në autostradën Laç-Mamurras, pranë kryqëzimit të Sanxhakut. Ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë ku gjendet dhe sot me dëmtime në dy këmbët dhe në njërin vesh. Më herët Toma ka qenë zyrtar i bashkisë, madje i dënuar bashkë me ish-kryebashkiakun Fran Frrokajn për tokat në bregdet.

 

sokol toma pd e lezhes

Lini një Përgjigje