Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, ndërsa demokratët e drejtuar nga Sali Berisha njoftuan pasditen e së hënës se nuk do të jenë pjesë e punimeve të sotme. Për demokratët, seanca e sotme është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ndërsa socialistët pretendojnë se gjithçka është vendosur 1 muaj më parë nga Konferenca e Kryetarëve.
Socialistët theksojnë se seanca e ditës së martë (17 Mars 2026”, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë
“Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, shprehet Balla në një reagim, duke iu drejtuar opozitës.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, seanca është thirrur jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.
Ai theksoi se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.
Në anën tjetër socialistët përmes Taulant Ballës, kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, shprehen se Kuvendi do të diskutojë dhe miratojë draft-rezolutën e paraqitur përmes të cilës Shqipëria e konsideron “Iranin sponsor të terrorizmit dhe IRGC-në e shpall organizatë terroriste”.

Grupi Parlamentar socialist thekson se përmes kësaj Rezolute i bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Në përmbajtjen e saj, rezoluta dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste dhe operacioneve destabilizuese.
Parlamenti i kërkon Qeverisë shqiptare të forcojë masat për luftën kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe kërcënimeve kibernetike, si dhe të rrisë bashkëpunimin me vendet aleate dhe partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim.
Në kushte të tilla, duket se draft-rezoluta e paraqitur nga PS do të miratohet vetëm me votat e socialistëve, nëse do të kalojë sot në seancë.
Lini një Përgjigje